Rikthet Covid, 5 raste në Gjirokastër

Rastet me COVID-19 po rikthehen edhe në Gjirokastër. Sipas të dhënave të Qendrës Shëndetësore në Manalat, gjatë kësaj jave janë regjistruar rreth pesë raste të reja.

Këtë e bën me dije mjekja e qendrës, Joana Ciko, ndërsa pohon se rastet nuk kanë qenë me simptoma të rënda.

“Gjatë kësaj jave në ambulancën Manalat janë paraqitur pesë pacientë me simptoma të COVID-19. Kanë marrë mjekimin e duhur dhe u është rekomanduar qëndrimi në shtëpi për rreth pesë ditë, për të qenë larg kontaktit me persona të tjerë dhe për të shmangur infektimin e mëtejshëm,” thotë Dr. Ciko.

Ajo apelon të gjithë qytetarët që të respektojnë masat bazë të higjienës dhe të shmangin grumbullimet e panevojshme.

“Nëse shikoni se shfaqni simptoma të virusit ose nuk e dini se çfarë gjendjeje mund të jetë ajo, një temperaturë të lehtë, një kollë që ju është shfaqur këto ditë, të kontaktoni me mjekun e familjes ose të paraqiteni pranë një laboratori për të kryer një test kovidi,” këshillon mjekja.

Në qendrat shëndetësore të qytetit të Gjirokastrës vazhdon monitorimi i rasteve, ndërsa për qytetarët apelohet që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të respektojnë masat parandaluese, në mënyrë që rikthimi i COVID-19 të mos përshkallëzohet.

Donika, vajza me violinë

Romani i ri i shkrimtarit Flamur Buçpapaj. Një histori e fuqishme e mbushur me muzikë, dashuri dhe qëndresë. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top