“Ajo që është në fokus është që të jemi Shqipëri që kërkon të bëjë ndeshjen më të mirë të mundshme. Do të jetë hera e parë dhe kemi pasur pak ditë për të punuar dhe do të jetë pak e vështirë për të përkthyer çfarë kemi përgatitur për atë çfarë pritet në fushë”. Me këto fjalë trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, ka nisur konferencën zyrtare për media në prag të ndeshjes miqësore ndaj Izraelit. Italiani ka folur për përgatitjet e skuadrës, atmosferën në grup, pritshmëritë për sfidën e parë, si edhe objektivat e ekipit në këtë fazë të re. “Nuk është e lehtë me Izraelin, i bën skuadrat e tjera të luajnë keq dhe të bën të vraposh pa top. Duhet të jemi të zotë të krijojmë shumë intensitet dhe të mos krijojmë shumë hapësira për ta. Do jetë test i mirë, impenjativ dhe stimulues për ne”.
Italiani i Kombëtares theksoi se skuadra ka treguar profesionalizëm, motivim dhe gatishmëri të madhe, pavarësisht lodhjes së një sezoni të gjatë, ndërsa formacioni do të përcaktohet edhe nga gjendja fizike e lojtarëve. “Këto dy miqësore do të na shërbejnë për t’u njohur jo vetëm me idetë e futbollit dhe si do luajmë, por edhe për të gabuar dhe për t’u përmirësuar – tha Maran -. Pres që të kemi qasjen e duhur, të provoj gjëra, pres dhe vështirësi, por në të njëjtën kohë pres një skuadër mendërisht të përgatitur për të kaluar vështirësitë. Nga se kam parë nga motivimi në skuadër, është sinjal i qartë që skuadra është në pikën e duhur dhe kjo gjë më ka pëlqyer”.
Ai vlerësoi Izraelin si një kundërshtar të fortë dhe kërkues, por u shpreh i bindur se Shqipëria duhet të luajë me kurajë, personalitet dhe agresivitet, duke synuar kontrollin e topit dhe fitoren. “Duhet të zbresim në fushë gjithmonë për të kërkuar fitoren, do të mundohemi ta marrim me anë të karakteristikave tona dhe me atë që do të provojmë të bëjmë. Do jetë e vështirë, por objektivi ynë do të jetë fitorja. Sigurisht që do ishte ndeshje perfekte nëse rezultati do të vijë dhe me performancë të mire”.
Trajneri Maran nënvizoi se këto dy ndeshje miqësore do të shërbejnë për të konsoliduar idetë e tij, për të njohur më mirë skuadrën dhe për të ndërtuar ADN-në e re të Kombëtares: “Sigurisht, nuk është ndeshja PSG-Arsenal, por Shqipëria dhe ne duhet të krijojmë ADN-në tonë, të bazuar te karakteristikat e lojtarëve tanë. Do të mundohemi të fshehim vështirësitë tona dhe t’i vendosim kundërshtarët në vështirësi. E kam thënë edhe në konferencën e parë, më pëlqen të kem një skuadër agresive. Më pëlqen ta kemi topin në kontroll dhe që skuadra të futet në fushë për fitore” e mbylli Maran.