Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka folur për mediat pas përfundimit të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, ku me 9 vota të mazhorancës u miratua rezoluta antikorrupsion për thellimin e reformave. Opozita nuk mori pjesë në votim, ndërsa rezoluta pritet të kalojë të hënën në Kuvend.
Tabaku tha se parlamenti ka nevojë për një gjithë përfshirje për ta bërë procesin e integrimit, kombëtar dhe dhe jo për një tjetër rezolutë që nuk do të zbatohet.
“Nuk besoj se mazhoranca e ka lartësinë që të na predikojë ne luftën ndaj korrupsionit Unë si kryetare këshillit kombëtar të integrimit e kam thënë që lufta ndaj korrupsionit duhet të kthehet në prioritet kombëtar. Deri më sot qeveria nuk e ka bërë këtë. Së dyti janë një pjesë funksionesh me ngritjen e komisionit të posaçëm që i takojnë këshillit kombëtar të integrimit.
Janë edhe një pjesë që lidhen me mbikëqyrjen, raportimin dhe monitorimin që nuk i bën dot mazhoranca sepse mazhoranca nuk mund të raportoje tek vetja. Kjo është një detyrë që ligji ja ka dhënë për procesin e integrimit opozitës. Unë mendoj se parlamenti nuk ka nevojë për një rezolutë tjetër që nuk zbatohet. Parlamenti ka nevojë për një gjithëpërfshirje për ta bërë procesin e integrimit proces kombëtar, për të përfshirë të gjithë aktorët dhe partnerët, por ka nevojë që të mos miratojmë copa letre që dihet se çfarë fundi kanë”, tha Tabaku.