Përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës për Reformën Zgjedhore kanë sjellë ndërhyrjen diplomatike të OSBE-së dhe Bashkimit Europian. Me zgjedhjet vendore të 9 majit 2027 që afrojnë, ndërkombëtarët kërkojnë përshpejtimin e punës dhe arritjen e një marrëveshjeje mes palëve. Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran, u takua të hënën me bashkëkryetarët e Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi. Ai kërkoi bashkëpunim dhe zbatimin në kohë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, duke theksuar se përparimi i reformës është thelbësor për besimin e qytetarëve te zgjedhjet.
Takimi vjen pas tensioneve të javës së kaluar, kur demokratët braktisën mbledhjen e komisionit. Shkak u bë propozimi i socialistëve për të diskutuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor që lidhen me reformën territoriale, të cilën PD nuk e njeh. Në qendër të përplasjes është ndarja e re territoriale, që parashikon reduktimin e bashkive nga 61 në 46 dhe një status të ri për qytetet, të cilat do të përfaqësohen proporcionalisht në këshillat bashkiakë. Kjo kërkon ndryshime në mënyrën e votimit dhe përllogaritjen e votave.
Pas mosmarrëveshjeve, në diskutime u përfshi edhe ambasadorja e BE-së, Sofia Moreira de Sousa. Ajo zhvilloi një takim me Gjiknurin dhe Bylykbashin, duke tërhequr vëmendjen për afatet e ngushta dhe nevojën për dialog politik. Edhe kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, ka kërkuar miratimin sa më të shpejtë të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, në mënyrë që administrata të ketë kohën e nevojshme për përgatitjen e zgjedhjeve.
Menjëherë pas takimit me Tarran, Gjiknuri dhe Bylykbashi thirrën mbledhjen e radhës të komisionit për të martën. Në rendin e ditës është rikthyer çështja e përshtatjes së Kodit Zgjedhor me ndarjen e re territoriale, si dhe dërgimi në Komisionin e Venecias i draftit për financimin e partive politike. Komisioni pritet të nisë edhe shqyrtimin e propozimeve të PD-së, të cilat përfshijnë ndryshimin e sistemit zgjedhor, listat e hapura dhe masa më të ashpra kundër përdorimit të burimeve shtetërore në zgjedhje.