Pozicionim i bujshëm nga ana e Real Madrid në prag të finales së Kupës së Mbretit kundër Barcelonës në Sevilje. Në shenjë proteste ndaj deklaratave të arbitrit të ndeshjes, i cili foli për presione të padrejta nga televizioni zyrtar i Real Madrid (Real Madrid TV), klubi i Florentino Pérez ka bojkotuar konferencën për shtyp para ndeshjes dhe ka njoftuar se nuk do të zhvillojë seancën stërvitore në fushën ku do të luhet finalja të shtunën, si dhe nuk do të marrë pjesë në darkën zyrtare të planifikuar për të premten mbrëma.
Ky qëndrim i fortë ka nxitur pyetjen më të madhe në media spanjolle: A do të paraqitet Real Madrid në fushë kundër Barcelonës të shtunën? Pas jehonës që shkaktoi rasti, madrilenët prisnin që Federata të tërhiqte mbrapsht emërimin e arbitrit, por kjo nuk ndodhi, dhe tani mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë me finalen.
KOMUNIKATA E REAL MADRIDIT
“Real Madrid CF e konsideron të papranueshme deklaratën publike të dhënë sot nga arbitrat e caktuar për finalen e Kupës së Mbretit, që do të zhvillohet më 26 prill 2025. Këto protesta, që në mënyrë befasuese janë përqendruar mbi videot e një organi mediatik të mbrojtur nga liria e shprehjes si Real Madrid TV, të përgatitura qëllimisht 24 orë më parë ndaj njërit prej pjesëmarrësve në finale, tregojnë edhe një herë animin dhe armiqësinë e hapur të këtyre arbitrove ndaj Real Madridit.
Deklarata edhe më shqetësuese, me tone kërcënuese dhe që aludojnë për unitetin e trupës së arbitrave, janë përdorur për të paralajmëruar masa apo veprime të mundshme, larg nga parimet e drejtësisë, objektivitetit dhe paanshmërisë që duhet të mbizotërojnë në prag të një ngjarjeje që tërheq vëmendjen e qindra miliona njerëzve në mbarë botën. Duke marrë parasysh seriozitetin e ngjarjes, Real Madrid shpreson që drejtuesit e RFEF dhe organi arbitrar të veprojnë në përputhje me rrethanat, duke marrë masat e nevojshme për të mbrojtur prestigjin e institucioneve që përfaqësojnë”, thuhet në njoftimin e klubit.
Comunicado Oficial.
— Real Madrid C.F. (@realmadrid) April 25, 2025
Flick, trajneri i Barcelonës: “Arbitrat duhen respektuar”
“Për mua është thjesht sport, është thjesht futboll.” Me këto fjalë trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, komentoi emocionet e arbitrit bask që shpërtheu në lot në vigjilje të finales së Kupës së Mbretit kundër Real Madrid. “Duhet të mbrojmë të gjithë gjatë një ndeshjeje. Na duhen arbitrat, duhet të kujdesemi për ta dhe të tregojmë vëmendje. Moskujdesi ndaj tyre nuk është fair play, nuk është respekt ndaj tyre”, tha tekniku gjerman në konferencën për shtyp.
Flick u bëri thirrje lojtarëve të tij të shijojnë ndeshjen: “Është një finale, kundër Real Madrid, stadiumi është i mrekullueshëm… Duhet të kënaqemi, do të luftojmë për të. E kemi nisur këtë rrugëtim që në fillim të sezonit për të fituar trofe, dhe tani kemi një mundësi për ta bërë këtë në tre fronte. E dimë që është e vështirë, sepse kemi përballë Real Madridin.”
Sa i përket statusit të mundshëm si favoritë, ai shtoi: “Duhet të shijojmë finalen; kemi një skuadër të re. Do të jetë një përvojë e madhe për këtë grup të ri. Në një finale nuk ka favoritë. Duam të luftojmë për trofeun.” Për Ferran Torres, pa konfirmuar apo mohuar praninë e tij, Flick komentoi: “Ka pasur një rol të shkëlqyer në Kupë, ka treguar gjithmonë se sa i mirë është. Lewandowski nuk mund të luajë, dhe Ferran di të luajë edhe në atë rol. Shokët e tij duhet të përshtaten me faktin që kemi një lojtar tjetër atje, me një stil ndryshe. Jam i lumtur që e kam në skuadër.”