Kryeministri Edi Rama ka njoftuar ndryshime në qeveri, duke larguar Besfort Lamallarin nga drejtimi i Ministrisë së Brendshme dhe duke emëruar në këtë detyrë Ervin Demon. Rama bëri të ditur se Lamallari do t’i bashkohet ekipit të tij në Kryeministri, ndërsa Demo, deri tani ministër i Pushtetit Vendor, do të marrë drejtimin e Ministrisë së Brendshme.
Me këtë ndryshim, çështjet e pushtetit vendor do të kalojnë gjithashtu nën Ministrinë e Brendshme. Sipas Ramës, ky organizim nuk është i ri për strukturën e ministrisë.
“Besforti, nga drejtimi i Ministrisë së Brendshme, do të kalojë në stolin tim, bashkë me mua dhe ekipin këtu në Kryeministri”, deklaroi Rama. Lamallari falënderoi kryeministrin për besimin gjatë dhjetë viteve të fundit dhe tha se do të vijojë të punojë pranë tij.