Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka publikuar Raportin e Transparencës Fiskale për vitin 2025, ku Shqipëria renditet mes 71 vendeve që përmbushin standardet e transparencës fiskale.
Sipas raportit, Shqipëria ka bërë përparim të ndjeshëm, duke adresuar disa prej mangësive kryesore që kishin ndikuar negativisht në transparencën financiare të institucioneve publike.
Në raportin e këtij viti, Shqipëria është vlerësuar pozitivisht për publikimin e dokumenteve zyrtare buxhetore dhe angazhimin për rritjen e llogaridhënies dhe integritetit financiar.
Departamenti arriti në përfundimin se, nga 139 vendet (dhe Autoriteti Palestinez) të vlerësuara, 71 qeveri përmbushën kërkesat minimale të transparencës fiskale dhe 69 nuk i përmbushën kërkesat minimale. Megjithatë, nga këto 69, 26 bënë përparim të konsiderueshëm drejt përmbushjes së kërkesave minimale të transparencës fiskale.
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për transparencën fiskale ka për qëllim të vlerësojë sa hapur dhe sa qartë qeveritë tregojnë përdorimin e parave publike. Në këtë raport shikohet nëse buxheti i shtetit publikohet dhe nëse është i kuptueshëm për qytetarët, nëse raportet e shpenzimeve pasqyrojnë realisht se ku shkojnë fondet, nëse ekziston një auditim i pavarur që kontrollon veprimtarinë e qeverisë dhe nëse këto kontrolle bëhen publike. Gjithashtu vlerësohet transparenca e kontratave të mëdha, si partneritetet publike-private, koncesionet apo të ardhurat nga burimet natyrore, për të parë nëse ato përfshihen qartë në buxhet apo mbeten jashtë tij. Në fund, DASH vendos nëse një vend ka përmbushur apo jo standardet minimale të transparencës. Për Shqipërinë, vërejtjet më të shpeshta lidhen me mungesën e qartësisë tek kontratat e mëdha koncesionare dhe PPP-të, të cilat shpesh nuk publikohen plotësisht dhe nuk pasqyrohen siç duhet në buxhet, duke lënë vend për dyshime mbi përdorimin e parave të taksapaguesve.
Departamenti vlerësoi qeveritë e mëposhtme si qeveri që përmbushin kërkesat minimale të transparencës fiskale për vitin 2025: Shqipëria, Argjentina, Armenia, Bahamas, Benini, Bosnja dhe Hercegovina, Botsvana, Brazili, Bullgaria, Burkina Faso, Kepi i Gjelbër, Kili, Kolumbia, Komoret, Kosta Rika, Bregu i Fildishtë, Kroacia, Çekia, Estonia, Fixhi, Gjeorgjia, Gana, Greqia, Guatemala, Guajana, Hondurasi, Hungaria, India, Indonezia, Izraeli, Xhamajka, Jordania, Kazakistani, Kenia, Kosova, Republika e Kirgistanit, Letonia, Lituania, Malajzia, Malta, Mauritiusi, Meksika, Mikronezia (Shtetet e Federuara), Moldavia, Mali i Zi, Maroku, Namibia, Nepali, Maqedonia e Veriut, Panamaja, Paraguai, Peruja, Filipinet, Polonia, Portugalia, Rumania, Ruanda, Serbia, Sejshelet, Singapori, Sllovakia, Sllovenia, Afrika e Jugut, Sri Lanka, Tailanda, Timori Lindor, Trinidad dhe Tobago, Tunizia, Turqia, Uganda dhe Uruguai.