Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar ditën e sotme një takim me të rinjtë e Partisë Socialiste në Elbasan.
Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, Rama tha se sa më poshtë të shkojë PD në zgjedhjet e 11 majit, aq më mirë është.
Kryeministri tha gjithashtu se Bashkimi Europian po kërkon ta marrë Shqipërinë brenda Unionit dhe sipas tij, këtë mund ta realizoj vetëm PS.
Për t’i dhënë rëndësinë e duhur 11 majit, Rama tha se kampionati kombëtar është i fituar padiskutim nga PS, por shtoi se në këto zgjedhje luhet për Champions League.
“Natyrisht që dikush mund të thotë ‘ç’të duhet ty me ne, po qan hallin ti që PD po shkon poshtë e më poshtë?’. Nuk e qaj hallin e kësaj fare unë. Sa më poshtë të shkojë, edhe më mirë është. Poshtë fare, mirë fare. Por këtë herë, si asnjëherë më parë, mua më duhet kjo si për diçka tjetër.
Më duhet kjo për atë mesazh që populli shqiptar do i japi 27 vendeve anëtare të BE-së dhe Brukselit ku është qeveria e Europës, si shprehje të një vullneti që është më i madh se shumica aritmetike e PS-së, për të mbyllur negociatat deri në 2027 dhe për t’u bërë anëtare të BE-së. Nuk është e rastit, as për arsye thjesht që hajde të fitojmë ndeshjen këtu brenda, sepse në 11 maj ne nuk luajmë në kampionatin kombëtar.
Kampionati kombëtar nuk ka diskutim. Në 11 maj ne luajmë edhe Champions Leaguen. Dhe vendosja e të dy flamujve me 5 që i bashkon, është një mënyrë për t’i thënë të gjithëve ‘dëgjoni, në 11 maj është një moment historik, si asnjëherë më parë deri më sot, që kur ne kemi marrë rrugët dhe kemi ulëritur rrugëve e duam Shqipërinë si gjithë Europa dhe jemi ndarë nga regjimi komunist’. Janë bashkuar yjet e fatit, fati ynë me fatin e Europës dhe nuk jemi vetëm në që dëshirojmë sa më parë të hyjmë në BE, por është edhe BE që dëshiron të na marrë sa më parë brenda saj”, tha Rama.
Rama tha se Sali Berisha nuk mund të pritet me krahë hapur nga BE.
Ai shtoi gjithashtu se janë 1000 djem e vajza që po punojnë në procesin e negociatave, pasi sipas kryeministrit, janë shumë ligje e rregulla të BE-së që duhen përshtatur në legjislacionin e vendit tonë.
“Por nuk ka nevojë fare të pyesësh BE-në, mjafton të dish fare pak nga historia jonë bashkëkohore. Mjafton të shofësh bufin, ta shofësh kështu fizikisht. Mund të imagjinohet që në BE të pritet me krahë hapur? Nuk bën vaki. As bufi, as gjithë lukunia e kënetës nuk kanë shans fare që të respektohen, të vlerësohen, të besohen, siç kemi arritur ne që ta ngremë nivelin e respektit dhe besimit për Shqipërinë.
Këtu ishin pa ardhur ne, që ishin edhe shumë më në formë, edhe Shqipëria ishte një qenie e përçmuar. Janë 1000 vajza e djem që anë 1000 vajza e djem që çdo ditë punojnë për negociatat. Janë çerek milionë faqe, ligje dhe rregulla që duhen marrë”, tha Rama.