Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje të disa pankartave të protestuesve të përdorura gjatë protestave për çështjen e Zvërnecit. Me anë të postimi në Facebook, Rama i ka ironizuar dhe tallur, duke shkruar se e vlerëson kreativitetin e autorëve të memeve që kanë qarkulluar në internet. Ai thekson më tej se disa nga pankartat më të preferuara nuk i poston dot pasi, sipas tij, janë të “nxehta” dhe se nuk do të krijojë keqkuptime të reja.
Reagimi i Ramës:
RROFTË MEMEMANIA
Që të merremi vesh se mos krijohet bindja e gabuar që mua s’më pëlqen asgjë nga ky revolucioni imagjinar i flamingove
Aq sa më ngjallin keqardhje me përzierje rropullish fjalimet krra-krra-krra, aq më argëton kreativiteti i memeve, për të cilat sinqerisht u përcjell përgëzime e falenderime autorëve, ndërkohë që më vjen keq vërtetë, që disa të preferuara të tjera nuk i postoj këtu dot se janë shumë të nxehta dhe kot melazëm na krijohen keqkuptime të reja, a thua s’na mjaftojnë këto që kemi për rreziqet imagjinare nga një projekt që do transformojë më tej Shqipërinë.