Kryeministri Edi Rama tha sot se shumica e etiketimeve që ka përdorur deri më tani në fushatë nuk janë bullizim, por janë pjesë e satirës dhe karikaturës. Sa i takon përdorimit të termit “autik”, Rama këmbënguli se ka folur për autizëm politik, por tha se kërkoi falje pas lëndimit të prindërve të fëmijëve autik. Kreu i qeverisë shtoi më tej se në Shqipëri nuk ekzistojnë më problemet me tranzicionin, ndërsa shtoi se tani vendi është një hap larg Bashkimit Europian.
“Satira dhe karikatura nuk janë bullizim. Unë kam folur për autizëm politik. Por përballë lëndimit të prindërve të fëmijëve autik, ndjeva dhe të kërkoj falje. Për mua ai njeri simbolizon fiks bufin e kënetës. Qe ushqehet me krijesat aty brenda. Prandaj ende sot ajo parti e lindur si parti e shpresës, nuk arrin të shpëtojë nga kthetrat e bufit. Ato që jan pak më ndryshe ose gëlltiten nga bufi ose mbyten në ujërat e këntës. Primaret nuk ishin garë. Se po të ishte ashtu fituesit nuk do ishin brenda barkut të bufit.
Ne nuk kemi më problem me tranzicionin. E kemi kaluar. Tani jemi një hap larg Bashkimit Europian. Satira dhe karikatura nuk janë forma të bullizmit. Sharjet dhe ndërtimi i alibisë se nuk po humbim por po na i vjedhin janë gjëra të rënda.“, tha Rama.