Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se javën e ardhshme do të krijohet Ministria e Administratës Publike, e cila do të drejtohet nga ministrja Adea Pirdeni.
Pirdeni është aktualisht ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Anti-Korrupsionin.
Lajmin Rama e njoftoi gjatë një takimi ku u prezantua platforma e radhës propagandistike, ‘Shkalla e Meritës’, e cila ka si synim, sipas Ramës, krijimin e një administrate profesionale, që do të ndihmojë Shqipërinë për t’u bërë anëtare e BE-së brenda vitit 2030.
Rama tha gjithashtu se përmes kësaj ministrie, Qeveria synon që të zgjerojë gamën e detyrave, punëve dhe ambicieve, për të ngritur më lart shtetin europian të shqiptarëve.
“Do të krijojmë javën e ardhshme Ministrinë e Administratës Publike, pikërisht se tanimë tema e administratës publike është një temë shumë qendore e punës së qeverisë dhe e shtetbërjes së mëtejshme europiane të Shqipërisë. Është nevoja që përmes kësaj ministrie që e kanë shumë vende të tjera europiane, ne të zgjerojmë gamën e detyrave, punëve e ambicieve për të ngritur më lart shtetin europian të shqiptarëve. Nuk diskutohet që Ministrinë e Administratës Publike mund ta drejtojë dhe ta çojë përpara vetëm ministrja e Shtetit për Administratën Publike, Adea Pirdeni”, tha mes të tjerash Rama.