Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në Samitin e NATO-s që zhvillohet të martën dhe të mërkurën në Ankara, ku liderët e vendeve anëtare të aleancës do të diskutojnë mbi forcimin e mbrojtjes kolektive, rritjen e shpenzimeve ushtarake dhe mbështetjen për Ukrainën.
Sipas njoftimit të Agjencisë për Media dhe Informim, Rama do të shoqërohet nga bashkëshortja Linda Rama dhe delegacioni shqiptar. Gjatë samitit ai do të zhvillojë një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, si dhe do të marrë pjesë në sesionin e punimeve me liderët e vendeve aleate. Të nesërmen, kryeministri shqiptar do të zhvillojë edhe një takim dypalësh me Recep Tayyip Erdoğan.
Samiti zhvillohet në një klimë tensionesh mes aleatëve dhe presidentit amerikan Donald Trump. Sipas mediave ndërkombëtare, organizatorët dhe drejtuesit e NATO-s synojnë të shmangin një përplasje të mundshme me Trump, i cili prej kohësh kritikon aleatët evropianë se nuk shpenzojnë mjaftueshëm për mbrojtjen dhe mbështeten në garancitë ushtarake amerikane.
Në përpjekje për të zbutur këto tensione, NATO pritet të paraqesë të dhëna që tregojnë rritjen e vazhdueshme të shpenzimeve ushtarake. Sipas aleancës, vetëm gjatë vitit 2025 vendet evropiane anëtare dhe Kanadaja kanë investuar rreth 139 miliardë dollarë më shumë në mbrojtje. Gjithashtu priten njoftime për marrëveshje të reja dhe blerje të konsiderueshme armësh, kryesisht nga industria amerikane e mbrojtjes.
Në axhendën e samitit do të jetë edhe vazhdimi i mbështetjes ushtarake dhe financiare për Ukrainën, ndërsa një tjetër temë e rëndësishme lidhet me rishpërndarjen e kapaciteteve ushtarake amerikane. Administrata Trump ka sinjalizuar se synon të reduktojë një pjesë të mjeteve ushtarake të vendosura në Evropë, për t’u fokusuar më shumë në Azi dhe Lindjen e Mesme, një zhvillim që ka shtuar shqetësimet e aleatëve evropianë për sigurinë e kontinentit.
Në vitin 2025 u vendos që samiti i NATO-s i vitit 2027 të zhvillohej në Shqipëri, por ky vendim tani është në pikëpyetje pasi në rezolutën finale të Ankarasë është shmangur vendndodhja e samitit të radhës.