Rama në Jeruzalem, një rreshtim i qartë politik përkrah Izraelit

Deklaratat e kryeministrit Edi Rama në Jeruzalem shënuan një pozicionim të drejtpërdrejtë të Shqipërisë përkrah Izraelit në lidhje me ndërhyrjen në Gaza, në një moment kur ky konflikt vijon të ndajë komunitetin ndërkombëtar.

Gjatë deklaratës së përbashkët për shtyp me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, Rama përdori një gjuhë që del përtej formulimeve tradicionale diplomatike. Ai deklaroi se Shqipëria “qëndroi krahë pengjeve dhe familjeve të tyre dhe kundër kasapëve neonazistë të Hamasit”, duke e përshkruar Hamasin si një forcë që ka “dehumanizuar motrat e vëllezërit tanë palestinezë, deri në pikën e katandisjes në instrumente lufte, kthyer në një infrastrukturë mbrojtjeje prej mishi e gjaku”.

Po ashtu, Rama deklaroi se “shqiptarët nuk u mblodhën në mitingje urrejtjeje kundër Izraelit, e as projektuan zemëratën e tyre për dhimbjen e tmerrshme të popullit palestinez, mbi numrin në rritje të vizitorëve hebrenj në vendin tonë. Kjo përbën një kontrast shumë të theksuar me atë çka për fat të keq ka ndodhur në shumë pjesë të tjera të Evropës, ku antisemitizmi edhe një herë u shndërrua në një prani thellësisht trazuese”.

Kryeministri ndodhet në Izrael me rastin e pjesëmarrjes në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit.

Fjala e kryeministrit të Izraelit Benjamin Netanyahu:
Dua t’i uroj mirëseardhjen Kryeministrit Edi Rama nga Shqipëria.

Kryeministri Rama është një mik i madh i popullit hebre, një mik i madh i shtetit hebre, mund të them po kështu edhe një mik i madh i imi. Ai përfaqëson shpirtin e vërtetë të Shqipërisë. Ndoshta njerëzit nuk e dinë, dhe bota duhet ta dijë, që Shqipëria ishte i vetmi vend europian që gjatë holokaustit pati një popullsi hebreje brenda Shqipërisë, që u rrit, e nuk u mpak, u rrit sepse shqiptarët, myslimanët shqiptarë, në frymën e moderimit, në frymën e tolerancës, në frymën e dinjitetit njerëzor, mbrojtën qindra hebrenj që jetonin asokohe në Shqipëri, e po kështu, mikpritën shumë të tjerë.

Ky është shpirti që ju përfaqësoni.

Kjo është ajo histori që, siç po flisnim pak minuta më parë, është histori që bota duhet ta njohë. Kjo është histori, siç ju thatë që frymëzon filma. Njerëzit duhet të njohin rolin e jashtëzakonshëm, rolin moral që Shqipëria luajti gjatë orëve më të errëta të historisë njerëzore. Kjo është ajo frymë që ju vazhdoni ta ushqeni dhe sot, miku im i mirë Edi.

Ju qëndroni me kurajë kundër atyre që duan t’ju sprapsin, ju qëndroni krahë së vërtetës, ju qëndruat krahë Izraelit kur u sulmuam nga barbarët, busulla juaj morale nuk u lëkund, dhe kjo është diçka që ne e vlerësojmë thellësisht dhe që ju shënjon si një udhëheqës të jashtëzakonshëm të popullit tuaj dhe mendoj për ato segmente njerëzimi që duan që e vërteta të mbrohet e të mbrohen vlerat morale që bashkëndajmë.

Po kështu e jo çuditërisht, ne po ndërtojmë marrëdhënie të shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Izraelit dhe numri i turistëve izraelitë që kanë shkuar në Shqipëri është rritur me 800%, ndoshta 1000, dhe së shpejti do të bëhen shumë më tepër. Dhe mund t’ju them të gjithë izraelitëve që Shqipëria është një vend i mrekullueshëm me njerëz të mrekullueshëm, kështu që shkoni atje, kjo ishte e para.

E dyta kemi kompani investuese izraelite, të cilat, dinë që ka një mundësi të madhe ekonomike në Shqipëri, ka një orientim drejt tregut të lirë dhe që ka gjëra që mund të zhvillohen së bashku me shqiptarët. Kjo do të çohet edhe më tej me çeljen e Dhomës së Tregtisë në Jeruzalem, mendoj nesër me praninë e Kryeministrit Rama dhe kjo është diçka që mendoj se do të çojë përpara lidhjet ekonomike.

E së fundi do doja të thoja që ne po kështu kemi një mirëkuptim që shkon përtej interesave, por në ndjesën më të thellë të simpatisë njerëzore, njohim që ka një themel afërsie e vëllazërimi midis dy popujve tanë, e dua të them edhe një bazë vëllazërimi midis të dyve prej nesh.

Pra, mirëserdhët këtu! Faleminderit shumë, kryeministër!

Fjala e plotë e kryeministrit Edi Rama në Izrael
Dua ta theksoj dhe një herë se Shqipëria dhe Izraeli ndajnë marrëdhënie të shkëlqyera që i kanë rrënjët në miqësinë e thellë midis popujve shqiptar dhe hebre, farkëtuar përmes shekujsh historie, kur më shumë se një herë, hebrenjtë që i iknin persekutimit në perëndim erdhën e u vendosën në brigjet tona. Trashëgimia unike historike e Shqipërisë në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Holokaustit e bën këtë lidhje thellësisht të veçantë, e për mua, për ne, është dëshmia e kurajës morale të gjyshërve tanë, një dëshmi që kurrë nuk duhet ta harrojmë dhe duhet të bëjmë gjithçka për ta trashëguar brez pas brezi.

Qeveria është plotësisht e përkushtuar për ta kremtuar këtë trashëgimi të çmuar nga historia dhe mban një qëndrim të vendosur, të qartë e të pandryshuar kundër antisemitizmit, si brenda vendit ashtu edhe ndërkombëtarisht.

Edhe pse popullsia shqiptare, me shumicë myslimane, u bashkua me solidaritetin në mbarë botën, me vuajtjen e popullit të thjeshtë palestinez, gjatë luftës në Gaza, shqiptarët nuk u mblodhën në mitingje urrejtjeje kundër Izraelit, e as projektuan zemëratën e tyre për dhimbjen e tmerrshme të popullit palestinez, mbi numrin në rritje të vizitorëve hebrenj në vendin tonë. Kjo përbën një kontrast shumë të theksuar me atë çka për fat të keq ka ndodhur në shumë pjesë të tjera të Evropës, ku antisemitizmi edhe një herë u shndërrua në një prani thellësisht trazuese.

Vendi ynë qëndron në mënyrë të palëkundur kundër antisemitizmit, po aq sa qëndron kundër islamofobisë. Ne qartësisht refuzojmë të lejojmë urrejtjen apo diskriminimin të udhëheqë mendimin, veprimet apo marrëdhëniet tona me popuj e vende të tjera.

Vizita në Nova Site dje, menjëherë pas mbërritjes, ishte thellësisht trazuese. Megjithatë, pata një ndjenjë lehtësimi moral kundrejt shpirtrave të atij vendi të dhimbshëm, duke e ditur që kurrë nuk i lamë në baltë, qëndruam krahë pengjeve dhe familjeve të tyre dhe kundër kasapëve neonazistë të Hamasit, veprimet e të cilëve kanë sjellë vuajtje të padurueshme, jo vetëm për izraelitët, por prej një kohe shumë të gjatë, edhe për motrat e vëllezërit tanë palestinezë, të dehumanizuar nga Hamasi deri në pikën e katandisjes në instrumente lufte, kthyer në një infrastrukturë mbrojtjeje prej mishi e gjaku, mish për zjarrin e terrorit. Diçka e paparë dhe e padëgjuar në historinë e barbarive. Shqipëria është e nderuar që bëhet pjesë e Bordit të Paqes, themeluar nga presidenti Trump dhe e shoh këtë ftesë jo vetëm si një njohje, por edhe përgjegjësi morale.

Ne do të vazhdojmë të mbështesim të gjitha përpjekjet përfshi planin e paqes për Gazën të presidentit Trump dhe do të luajmë rolin tonë brenda forcës ndërkombëtare për stabilizimin e Gazës.

Me Izraelin, ne vazhdojmë të thellojmë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, sigurisë dhe sigurisë kibernetike e kundër terrorizmit.

Kryeministër, më lejoni të shpreh edhe një herë mirënjohjen tonë të thellë ndaj Izraelit për mbështetjen kritike gjatë sulmit kibernetik masiv të Iranit kundër Shqipërisë.

Ashtu si Izraeli, Shqipëria nuk ka asnjë marrëdhënie diplomatike me Iranin, një vend i madh me civilizim të jashtëzakonshëm, që është shndërruar në një ishull terri nga urrejtja e verbër kundër çdo drite.

E ndërsa lutemi për shpirtrat e panumërt që kanë humbur ditët e fundit në zjarret e Khomeinizmit mbajmë shpresë dhe bindje se ditët e vrasësve të Teheranit po vijnë drejt fundit.

Nga ana tjetër, mirëpresim rritjen e tregtisë dhe të investimeve mbështetur në ekspertizën teknologjike të Izraelit dhe sidomos marrëveshjet që po arrijmë ditë pas dite për të ndërtuar bashkërisht një prodhim të ri të mbrojtjes e sistemit ushtarak dhe falë partneritetit me Izraelin, po rikrijojmë kushtet për prodhimin “Made in Albania” të sistemeve të mbrojtjes, që të shtrihet edhe jashtë vendit.

Në këtë frymë të bashkëpunimit në rritje do ta përurojmë nesër, siç ju e përmendët, hapjen e dhomës së tregtisë në Jeruzalem, që synon të forcojë lidhjet e biznesit dhe të nxitë Shqipërinë e mundësitë e saj si një vend që po zhvillohet fort.

Së fundi në radhë, por jo nga rëndësia, dua ta përmbyll me notën më mbresëlënëse e më inkurajuese në këtë marrëdhënie, turizmin dhe shkëmbimet midis njerëzve, të cilat më së fundi, po rriten ashtu siç duhet, mbështetur nga fluturimet e drejtpërdrejta midis Izraelit dhe Shqipërisë.

Dua që të ftoj ngrohtësisht të gjithë popullin hebre të vizitojë Shqipërinë e të zbulojë një tokë të jashtëzakonshme, jo vetëm për nga natyra, por për nga shpirti i saj, që siç një vëzhgues hebre e përshkruante përpara Luftës së Dytë Botërore, është një vend ku hebrenjtë mund të jetonin hapur, të sigurt dhe me dinjitet të plotë.

Faleminderit kryeministër!

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top