Rama: Më akuzojnë për gjithçka, por nuk sjellin asnjë provë

Kryeministri Edi Rama ka folur për median Italiane “Italpress” për revoltat popullore që kanë shpërthyer në Shqipëri prej thuajse një muaji. Rama ka thënë se ata që e akuzojnë se i ka dorëzuar tokat e Zvërnecit, duket t’i paraqesin provat për të faktuar këto akuza.

Ai tha se Revolucioni i Flamingove është si skenar filmi. Ndërkohë që shqiptarët protestojnë për keqqeverisjen e vendit, Rama në mediat ndërkombëtare përfshin dhe presidentin e SHBA-ve, duke thënë se protestat janë ndaj tij.

Më tej, Rama u ndal gjatë edhe te protestat e “Revolucionit të Flamingove” kundër një projekti resorti në jug të Shqipërisë. Ai hodhi poshtë akuzat dhe tha se ato po dëmtojnë imazhin e vendit.

“Prej vitesh jam akuzuar për çdo lloj gjëje. Nuk e di nëse ka mbetur ende diçka që nuk më është atribuar”, tha ai, duke shtuar se kjo “më shkakton një dhimbje të thellë. Sepse në atë pikë nuk bëhet më fjalë vetëm për mua, por për Shqipërinë.”

“Si mund të përgjigjesh? Kemi arritur në një pikë ku duket se është përmbysur një parim themelor: duhet të jenë ata që bëjnë akuzat ata që sjellin prova, jo i akuzuari që duhet vazhdimisht të provojë pafajësinë e tij. Ky i ashtuquajtur Revolucion i Flamingove në fillim dukej pothuajse si skenari i një filmi. Sot më duket se protesta ka marrë drejtime të tjera dhe është zhvendosur në çështje të tjera. Nëse më akuzojnë se i kam dorëzuar këto toka ose se kam dëmtuar një pjesë të bukur të vijës bregdetare të Shqipërisë, atëherë duhet të sjellin prova. Deri tani, megjithatë, nuk është paraqitur asnjë provë. Askush, deri më tani, nuk ka provuar asgjë. Nuk ka prova, sepse procesi është ende në vazhdim”, tha ai, duke shtuar se “ne ende nuk kemi nënshkruar asnjë marrëveshje, sepse negociatat nuk kanë përfunduar.”

Sa i përket zhvillimit tjetër, në tokë private sipas Ramës: “shteti dhe qeveria nuk kanë asnjë lidhje me të: ende nuk ka leje ndërtimi dhe procedura është në zhvillim e sipër. Kemi arritur vërtet në një situatë paradoksale.”

Kryeministri Rama tha se, megjithatë, i kuptonte arsyet e atyre që kishin dalë në rrugë për të protestuar: “Unë i kuptoj plotësisht ata që dolën të protestonin”.

“E kam thënë publikisht: nëse do të isha mes tyre dhe do të kisha dëgjuar gjithçka që po thuhej, ndoshta do të kisha ndjerë të njëjtën pakënaqësi dhe të njëjtin indinjim. Por nëse më pas do të kisha dëgjuar palën tjetër – në këtë rast qeverinë – të thoshte: ‘Ejani, do t’ju tregoj se nuk ekziston asgjë nga ato që ju kanë thënë, nuk ka prova’, do të isha ndier i qetësuar dhe do të isha kthyer në shtëpi.

Fatkeqësisht, sot çështja ka shkuar përtej kësaj dhe njerëzit nuk po flasin më as për flamingot. Flamingot janë bërë një simbol i dobishëm për ata që duan ta çojnë këtë çështje në arenën ndërkombëtare. Në nivel lokal është një çështje që përfshin grupe të ndryshme në shoqëri, përfshirë opozitën; në nivel ndërkombëtar ajo shndërrohet në një betejë kundër Donald Trump”, përfundoi ai.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top