Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestën e nacionalistëve grekë të ekstremit të djathtë përpara hotelit ku po mban tubimin me shqiptarët në Selanik. Rama tha se këto janë shfaqje të shëmtuara, madje sipas tij ka pasur edhe kërcënime në adresën e tij.
“Në vazhdim të këtyre shfaqjeve të padëshiruara, diku këtu një grup fantazmash të gjalla të së shkuarës janë angazhuar në një protestë kundër ardhjes time këtu me fletushka qesharake. Ata kanë bërë këto ditë në adresën time kërcënime që mua më shkaktojnë vetëm keqardhje, njësoj siç me shkakton keqardhje edhe çdo spazmë e kujtdo qoftë në Shqipëri që ushqen ndjenja jo miqësore ndaj Greqisë” – tha Rama.
“Të organizuar në një protestë të ardhjes time për të takuar me ju me fletushka qesharake të frymëzuara nga i ashtuquajtur Vorio Epir, që kanë bërë kërcime këto ditë ndaj meje që më krijojnë vetëm keqardhje. Vorio Epir është term i vdekur me kohë dhe vakt, ka vdekur bashkë me çdo ëndërr të qarqeve të individëve të dalë boje këtyre anëve. Kush e përdor këtë term kur flet për jugun e Shqipërisë tregon dritëshkurtësi për të jetuar në shekullin 21. Janë fosile për gjynah”, – tha Rama.
Rama preku edhe ndalesën e gazetarëve në kufi ditën e djeshme nga autoritetet greke. Ai tha se shpreh keqardhjen ndaj të gjithë gazetarëve që sipas tij u bllokuan disa orë në kufi për arsye të panjohur. Ai shtoi se ministria e Jashtme greke ka ndërhyrë për zhbllokimin e situatës. Rama solli në vëmendje dhe rastin e shpalljes “non grata” të gazetarit Marin Mema për të cilin tha se do të dorëzojnë kërkesë për rishikimin e vendimit.