Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish pas përgjigjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit lidhur me ngjarjen e ndodhur më 20 nëntor 2025, kur tre hetues të BKH-së janë paraqitur në ambientet e Këshillit të Ministrave për të ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Posaçme për pezullimin e zëvendëskryeministres, Belinda Balluku.
Në reagimin e tij Kryeministri i përgjigjet BKH-së, e cila hodhi poshtë deklarata e Ramës se atë ditë nuk ka pasur asnjë përplasje me punonjësit e Gardës, por një nga oficerët e Byrosë Kombëtare ka kërkuar sqarim. Rama thekson se ai nuk i kritikoi oficerët e BKH për armëmbajtje pa leje, por për padijen etike dhe ligjore që i shtyu të donin të hynin në kryeministri me patllake siç e thonë edhe vetë në deklaratë.
Rama shtoi ndër të tjera se nëse ky do të ishte një rast i izoluar, nuk do ta kishte përmendur publikisht, por sipas Kryeministrit episodi është pjesë e një serie problematikash që tregojnë boshllëqe etike dhe profesionale në disa struktura të drejtësisë së re. Në fund Rama shtoi se ka ardhur koha e një reflektimi serioz, profesional dhe ndërinstitucional, për të ndarë beben e sapolindur nga ujërat e pistë.
“Qenka përgjigjur publikisht edhe BKH-ja ndaj njërit prej një sërë episodesh të mungesës së etikës profesionale të anëtarëve të asaj trupe, të cilin e ceka sot në podkastin FLASIM, duke folur për simptomat shqetësuese të sëmundjeve të vjetra në organizmat e drejtësisë së re!
Ata kanë cituar ligjin, sipas të cilit mund të mbajnë patllake, kur në fakt unë nuk i kritikova për armëmbajtje pa leje, po për padijen etike dhe ligjore që i shtyu të donin të hynin në kryeministri me patllake siç e thonë edhe vetë në deklaratë.
Sikur të ishte ky një rast i veçuar, padiskutim që nuk do ta kisha cekur në kuadër të qëndrimit të sotëm mbi simptomat e lartpërmendura, por fatkeqësisht ky ishte më i ëmbli i episodeve që munda të gjej, për trimoshat e BKH-së që shfaqin shpesh boshllëqe shqetësuese etike e profesionale – thënë kjo shumë ëmbëlsisht për këtë pjesë të problematikës së sëmundjeve të vjetra në organizmat e drejtësisë së re.
Gjithësesi, po e përsëris, ka ardhur koha e një reflektimi serioz, profesional dhe ndërinstitucional, për të ndarë beben e sapolindur të nga ujërat e pistë, në një proces historik ku duhet të garantojmë suksesin e Reformës në Drejtësi, duke garantuar medoemos pavarësinë e gjyqësorit, po ku po ashtu, nuk mundet kurrësesi të lejojmë që kura te bëhet problem më i madh se sëmundja, duke rrezikuar liritë e të drejtat dhe frymëmarrjen e administratës e të ekonomisë së vendit,” tha Rama në reagimin e tij.