Ndërsa Bashkimi Europian e sheh me skepticizëm nismën e presidentit të SHBA, Donald Trump për të krijuar Bordin e Paqes dhe ndërkohë që disa nga liderët europianë ende janë duke e vlerësuar situatën, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama nuk ka asnjë dyshim se rruga e duhur është ta ndjekë pas SHBA-në në këtë projekt.
Pas statuseve në rrjetet sociale dhe pas konferencave për mediat, qeveria ka shprehur me entuziasëm përgjigjien pozitive për Donald Trump në një letër zyrtare drejtuar Shtëpisë së Bardhë.
Në letër, Rama vlerëson projektin e Trump për faktin se shmang burokracitë e shumta që ndonjëherë vonojnë paqen, ndërkohë që konfirmon se bashkohet me vlerat e SHBA, që tashmë kanë ndryshuar duke i dhënë formë një rendi të ri botëror.
“Kur filtrohet pafundësisht përmes shtresave të procedurave, paqja shumë shpesh mbërrin tepër vonë; kjo nismë mishëron me plot të drejtë kuptimin se koha, qartësia e mandatit dhe përgjegjësia personale në nivelin më të lartë janë vetë instrumente të paqes.
Prandaj, është njëkohësisht privilegj dhe nder të shpreh gatishmërinë time të plotë për të kontribuar në këtë përpjekje të rëndësishme dhe për t’u bërë tërësisht pjesë e një angazhimi të përbashkët që synon ta përkthejë vizionin në veprim” shkruan Edi Rama në letër.
Bordi i Paqes do të jetë një strukturë e udhëhequr për gjithë jetën nga Donald Trump, që me ftesat e tij në të gjithë botën është akuzuar se po tenton të krijojë një Organizatë të re të Kombeve të Bashkuara.
Letra e plotë e Edi Ramës për Bordin e Paqes
Sot i përcolla Presidentit Donald J. Trump përgjigjen e ftesës së tij për të marrë pjesë në Bordin e Paqes.
Së shpejti ky angazhim do t’i përcillet Kuvendit të Shqipërisë për miratim.
#KrenarpërShqipërinë🇦🇱🇺🇸🇪🇺
*Bashkëlidhur përkthimi:*
Republika e Shqipërisë
Kryeministri
Tiranë, 19 janar 2026
Shkëlqesisë së Tij Z. Donald J. Trump
President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës
ëashington, DC
I nderuar Zoti President,
Po ju shkruaj për të shprehur vlerësimin tim më të thellë për angazhimin tuaj të fortë dhe udhëheqjen vizionare në themelimin e Bordit të Paqes, si edhe për t’ju falënderuar sinqerisht për ftesën që më keni drejtuar personalisht për të qenë pjesë e tij, si edhe për ftesën drejtuar vendit tim, Republikës së Shqipërisë, për të shërbyer si anëtare themeluese.
Në një kohë kur konfliktet dhe përçarja dominojnë shumë shpesh panoramën ndërkombëtare, paqja duhet të formësohet aktivisht e jo të pritet pasivisht a diskutohet pafundësisht nëpër forume politike, teksa përreth globit jetë të pafajshme humbasin kotësisht çdo minutë. Bordi i Paqes shfaqet si mishërimi i kësaj domosdoshmërie urgjente.
Duke trajtuar njëkohësisht pasojat e menjëhershme të konflikteve dhe shkaqet më të thella strukturore që e prodhojnë paqëndrueshmërinë, kjo nismë ka potencialin të shndërrohet në një model vërtetë transformues të ndërtimit të paqes në nivel global.
Duket qartë se për të qenë një organizatë e re ndërkombëtare, Bordi i Paqes nuk është konceptuar si një forum tjetër deklaratash, procedurash dhe përgjegjësish të shtyra në kohë, por si një instrument i përqëndruar dhe qëllimplotë i udhëheqjes dhe përgjegjësisë globale.
Kur filtrohet pafundësisht përmes shtresave të procedurave, paqja shumë shpesh mbërrin tepër vonë; kjo nismë mishëron me plot të drejtë kuptimin se koha, qartësia e mandatit dhe përgjegjësia personale në nivelin më të lartë janë vetë instrumente të paqes.
Prandaj, është njëkohësisht privilegj dhe nder të shpreh gatishmërinë time të plotë për të kontribuar në këtë përpjekje të rëndësishme dhe për t’u bërë tërësisht pjesë e një angazhimi të përbashkët që synon ta përkthejë vizionin në veprim.
Republika e Shqipërisë ka qenë prej kohësh një aleate e palëkundur e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e lidhur nga vlera të përbashkëta, respekt i ndërsjellë dhe një përkushtim i përbashkët ndaj lirisë, demokracisë dhe sigurisë ndërkombëtare.
Populli shqiptar do ta kujtojë gjithmonë dhe do ta çmojë vazhdimisht rolin parimor dhe vendimtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, drejt vendosjes së paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë në momente kritike të historisë sonë të përbashkët. Në këtë frymë të qëndrueshme partneriteti, dëshiroj të ritheksoj se Republika e Shqipërisë qëndron me vendosmëri përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në të gjitha përpjekjet për promovimin e paqes, sigurisë dhe angazhimit konstruktiv global.
Duke pritur me interes të kontribuoj në suksesin e misionit të Bordit të Paqes, ju lutem pranoni, Zoti President dhe Kryetar i Bordit, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.
Me respekt,
Edi Rama