Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se do të takojë në Hagë ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, i cili po mbahet prej kohësh në qeli për shkak të gjykimit për krerët e UÇK nga Dhomat Speciale.
Në një lidhje live në rrjetet sociale, Rama u shpreh se drejtësia ndërkombëtare duhet të kuptojë që e drejta I takon një populli që luftoi për liri, dhe në anën e familjarëve të viktimave dhe grave e vajzave të përdhunuara.
“Të reflektojmë mbi standardet e ulëta dhe nivelin shumë nën vijat e kuqe të një drejtësie, kur e vetmja gjë që bënë luftëtarët ishte të mbronin lirinë dhe kërkuan të drejtën të jetonin si të barabartë. Kjo është e vërteta dhe këtë të vërtetë nuk e tund dot askush, e jo më një çekiç absurd i një drejtësie ndërkombëtare që në këtë raste ka lënë kokrrën e namit. Dua shumë të besoj që në fund e drejta do të fitojë. Këtu nuk ka 2 apo 3, por vetëm një të drejtë. Ajo përjetësuar me gjakun e martirëve dhe dhimbjet e grave, e nënave të përdhunuara e sakatuara gjatë një periudhe nga më të zymtat në zemër të Europës”, tha ai.