Kryeministri Edi Rama ka folur në Kuvend për politikat e strehimit dhe tregun e pasurive të paluajtshme, duke thënë se një pjesë e fondeve nuk është vënë në lëvizje, për shkak se Veliaj është në burg.
“Kemi probleme me rindërtimin në Bashkinë e Tiranës, sepse bashkia ka dy vjet pa kokë, sepse një shumë e madhe në dispozicion të strehimit dhe rindërtimit nuk është vënë në lëvizje, ndërkohë që do të përfshijë më këtë politikë të re edhe zgjerimin e stokut të banesave që ndryshohet nga vetë fondi i strehimit. Ndaj, në këtë kuadër, ka një propozim tjetër për të rritur taksën për apartamentet që mbahen bosh, duke pasur parasysh në radhë të parë ata që janë blerës të huaj.
Kjo bëhet për të nxitur një përdorim produktiv në aspektin social të stokut të banesave dhe që tregu i qirave të banesave të ketë një ofertë më të gjerë. Kjo shkon në të njëjtën logjikë me trajtimin e diferencuar të pronave të luksit, përfshirë vilat në bregdet dhe konsumin e ujit të pishinave”, tha Rama.
Veliaj u arrestua në shkurt 2025 për korrupsion dhe pastrim parash. Javët e fundit ai ka akuzuar kryeministrin se qëndron pas burgosjes së tij. Aktualisht Veliaj është në paraburgim në qelitë e burgut të Fierit.