Quincy Promes është arrestuar orët e fundit në shtëpinë e tij në Dubai. Lajmi, i shpërndarë fillimisht nga shtypi holandez, u konfirmua më pas nga avokati i ish-futbollistit të Ajax dhe Sevilla-s, i cili megjithatë nuk ka dashur të japë deklarata të mëtejshme. Sipas asaj që raportohet, policia e ka marrë Promes në mes të natës, duke e transferuar më pas në një qendër paraburgimi.
Kohë të vështira, pra, për ish-lojtarin e Twente, Spartak Moskë, Sevilla dhe Ajax, i cili aktualisht luan për United FC, skuadër e kategorisë së dytë të Emirateve të Bashkuara Arabe. Arrestimi lidhet me kërkesën për ekstradim të paraqitur nga Holanda. Kjo do të thotë se, së shpejti, 33-vjeçari do të transferohet në Holandë nën mbikëqyrjen e Policisë Ushtarake Mbretërore.
Me rikthimin në atdhe, Promes do të duhet të vuajë një dënim të përgjithshëm prej shtatë vitesh e gjysmë burg. Dhe të mendosh që, sipas asaj që raporton De Telegraaf, avokati i tij i kishte kërkuar Gjykatës së Apelit të Amsterdamit të revokonte urdhrin e arrestit: kërkesë e refuzuar.
Pse Promes do të shkojë në burg, për çfarë akuzohet
Futbollisti holandez ishte dënuar në mungesë me gjashtë vite burg për trafikimin e 1.300 kg kokaine dhe me 18 muaj për therjen me thikë të kushëririt në vitin 2020. Pas një periudhe të parë paraburgimi, Promes ishte liruar me kusht dhe kishte mundur të rifillonte aktivitetin sportiv në Emirate, me detyrimin për të mos e lënë vendin.
Pak ditë më parë, ai kishte deklaruar: “Nuk do të gënjej: më mungon shumë Holanda dhe do të doja të kthehesha. Thuhet shpesh që jam në arrati, por prej kohësh po përpiqem të kontaktoj me Departamentin e Drejtësisë për ta zgjidhur situatën.”
“Kisha detyrime kontraktuale me klubin tim, Spartak Moska. Kur mësova se çështja ime ishte në Holandë, isha tashmë jashtë vendit, kështu që ishte e vështirë për mua të merrja atë vendim dhe të kthehesha në Holandë. Nuk mund të kafshoja dorën që më ushqente në atë moment. Nuk jam i tillë. Unë fajtor? Bëhet fjalë për çështje thelbësore për të cilat, me këshillën e avokatit tim, nuk mund të komentoj”.