Qeveria ka miratuar një ndryshim në ligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, duke ulur akcizën e karburanteve me 20%, ose rreth 8 lekë për litër. Ky ndryshim ka hyrë tashmë në fuqi, por nuk zbatohet menjëherë në çmimet aktuale.
Sipas aktit normativ, ulja e akcizës do të aplikohet automatikisht vetëm në momentin kur çmimi i karburanteve në treg të kalojë disa kufij të përcaktuar. Konkretisht, masa hyn në veprim kur nafta të shitet mbi 220 lekë për litër dhe benzina mbi 200 lekë për litër.
Në kushtet aktuale, këta pragje nuk janë arritur ende. Me vendimin më të fundit të Bordit të Transparencës, çmimi i naftës është 218 lekë për litër, ndërsa benzina tregtohet me 181 lekë për litër.
Kjo do të thotë se, megjithëse ligji është miratuar dhe është në fuqi, ulja e akcizës nuk ka ende asnjë efekt konkret për konsumatorët. Ajo mbetet një mekanizëm që do të aktivizohet vetëm në rast të një rritjeje të mëtejshme të çmimeve në treg.
