Putin kërcënon me armët bërthamore: Lufta mund të shuajë qytetërimin

Rusia i është përgjigjur ashpër sinjaleve për përshkallëzim të konfliktit. Një javë pasi presidenti amerikan Joe Biden e quajti Vladimir Putinin një “bir k*rve të çmendur” dhe presidenti francez, Makron deklaroi se trupat e NATO-s mund të futen në Ukrainë, Putin shfrytëzoi një fjalim vjetor në Parlamentin rus për ta sfiduar Perëndimin me mesazhe kërcënuese.

“Gjithçka që po sajon Perëndimi, çon në të vërtetë në kërcënimin e një konflikti me armë bërthamore dhe për rrjedhojë në asgjësimin e qytetërimit,” – u shpreh Putin. Presidenti rus iu drejtua drejtpërdrejt vendeve perëndimore, kur deklaroi më pas: “Edhe ne kemi armë të afta për të arritur në territoret tuaja”.

“Ne kujtojmë fatin e atyre që dërguan kontigjentet e tyre në territorin e vendit tonë,” – vazhdoi Putin, duke aluduar për sulmin e Gjermanisë naziste ndaj Bashkimit Sovjetik. “Tani pasojat për ndërhyrësit e mundshëm do të jenë shumë më tragjike.”  

“Perëndimi bëri llogaritë gabim dhe u ndesh me pozicionin dhe vendosmërinë e fortë të popullit tonë shumëkombësh,” – tha Putin para një auditori zyrtarësh qeveritarë, anëtarëve të parlamentit dhe figurave të shoqërisë civile që u mblodhën në Gostiny Dvor të Moskës.

Fjalimi për “Gjendjen e kombit” është i mandatuar në Kushtetutën e Rusisë, por kësaj rradhe Vladimir Putin nuk e kaloi thjeshtë si një formalitet. Putin e përdori për të shfaqur lidershipin e tij pranë zgjedhjeve ku do të rikandidojë, ndërsa mesazhet nga Perëndimi duken shumë të forta.

Putin, “një bir k*rve i çmendur”

Presidenti amerikan Joe Biden e quajti Putinin “një bir k*rve të çmendur” një javë më parë. Kjo fyrje nuk kishte ndodhur më parë në një rang kaq të lartë shtetëror. Presidentët amerikanë asnjëherë nuk e kanë fyer një President rus në këtë formë.

Deklarata erdhi pasi Putini provokoi me një intervistë në televizionin shtetëror rus, duke thënë se mes Donald Trump dhe Joe Biden, do të zgjidhte këtë të fundit për President të SHBA-ve, pasi është “më i parashikueshëm”. 

E bërë nga kushdo tjetër që nuk quhet Vladimir Putin, kjo zgjedhje do ta bëntë Biden të buzëqeshte. Por e thënë nga armiku, bën të kundërtën. Amerikanët prej dekadash ndëshkojnë në votë kandidatin presidencial që shihet si i preferuar i Rusisë, dhe Putin pikërisht me këtë provokoi.

Dhe situata në Ukrainë nuk favorizon Perëndimin. Pavarësisht miliardave në para, armë dhe ndihma që i janë çuar Ukrainës, basti i Perëndimit për një syrgjynosje të Rusisë nuk duket se po ecën. Ukraina sapo humbi dhe një qytet tjetër ndaj focave ruse, Avdiivkan. Dhe duket se një kundërsulm është i pamundur. Rusët duken të pamundshëm.

Franca përplaset me Gjermaninë, sygjeron futjen e ushtrisë së NATO-s në Ukrainë

Ndërsa në kontinentin europian ka një mospërputhje qëndrimesh kundrejt Rusisë, ku mes dy superfuqive, Gjermanisë dhe Francës, kjo e fundit po i hedh benzinë zjarrit duke sygjeruar se mund të futen trupat e NATO-s në Ukrainë.

Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Rusia, politika gjermane është diktuar nga një parim: Shmangni me çdo kusht një konfrontim të drejtpërdrejtë me Rusinë.

Por pas një samiti të liderëve europianë në Paris të hënën, presidenti francez Emmanuel Macron hodhi në erë stilin e kujdesshëm gjerman.

“Ne do të bëjmë gjithçka që duhet për të siguruar që Rusia nuk mund ta fitojë këtë luftë”, u tha Makron gazetarëve. “Gjithçka është e mundur,” tha ai, duke përfshirë dërgimin e trupave perëndimore në Ukrainë.

Këto komente ishin një kontrast i fortë me kancelarin Olaf Scholz, i cili pak përpara nisjes për në samitin në Paris dha argumentin e kundërt. Scholz paralajmëroi për rreziqet e një reagimi të ashpër nga Rusia, nëse qeveria gjermane do të dërgonte raketa me rreze të gjatë të prodhimit gjerman, Taurus në Ukrainë.

“Ne nuk mund të jemi të lidhur në asnjë pikë me objektivat që ky sistem raketor mund të përdoret për të goditur. Kjo duhet qartësuar. Unë jam i habitur që disa njerëz as nuk janë të prekur nga kjo, se ata as nuk mendojnë se nëse çohen këto raketa, mund të sjellë në një lloj përfshirje në luftë” – u tha Scholz gazetarëve në Berlin.

Në fakt, Gjermania nuk është e vetmja në ngurrimin e saj për të qenë tepër provokuese ndaj Moskës. Të martën, udhëheqësit e disa vendeve të NATO-s u distancuan nga komentet e Makron, duke këmbëngulur se nuk kanë plane për të dërguar trupa në Ukrainë.

Por frika gjermane për konfliktin me Rusinë është veçanërisht e fortë. Kjo është kryesisht si pasojë e historisë. Kërcënimi rus është i rrënjosur prej kohësh në imagjinatën gjermane. Ekziston edhe një element i fajit historik.

Më herët gjatë luftës, Scholz vonoi një vendim për dërgimin e tankeve Leopard të prodhimit gjerman në Ukrainë, pjesërisht për shkak të një brezi të fortë pacifist në vend. Por francezët kanë më pak rezerva të tilla. Dhe prandaj Makron ndihet më rehat dhe flet për mundësinë e çuarjes së trupave ushtarake të NATO-s në Ukrainë.

Të martën, Scholz rrëzoi çdo konsideratë të vendeve perëndimore që dërgonin trupa për të ndihmuar në mbrojtjen e Ukrainës. “Nuk do të ketë trupa tokësore nga vendet evropiane apo NATO”, shkroi ai në X.

Megjithatë, për Vladimir Putinin duket se edhe aludimet e hedhura si shashka diku në Perëndim se NATO mund të futet në Ukrainë, nuk mund të lihen pa përgjigje.

Siç e tha dhe Presidenti rus, “ne kujtojmë fatin e atyre që dërguan kontigjentet e tyre në territorin e vendit tonë. Tani pasojat për ndërhyrësit e mundshëm do të jenë shumë më tragjike.” 

Përgatiti ©LAPSI.AL 

Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top