Nga njëra anë mbajtësit e trofeut, që ëndërrojnë përsëritjen e suksesit, nga ana tjetër fituesit e Premier League për një triumf që do të ishte historik. PSG dhe Arsenal janë gati të luajnë finalen e Champions League, me takimin e caktuar për në orën 18:00 në Budapest. Puskas Arena do të presë një akt përmbyllës historik dhe plot emocione, që përfshin dy skuadrat më të mira të sezonit europian. Gjithçka që duhet të dini për sfidën më të pritur.
Futbolli europian është gati të ndalet në orën 18:00, për atë që do të jetë ndeshja e fundit prestigjioze e sezonit, përpara se t’u lërë vend Kampionateve Botërore dhe paraqitjeve të kombëtareve. PSG dhe Arsenal janë gati të luajnë aktin përfundimtar të Champions League në skenën sugjestive të Puskas Arena në Budapest, në atë që do të jetë finalja e parë e epokës së re: jo më prime time dhe mbrëmje vonë, por një orar i ri për emocionet e trofeut më të lakmuar.
Nga njëra anë është Luis Enrique, që ëndërron dopietën me PSG-në e tij, pas një dueli me tension të lartë kundër Lens në Ligue 1. Francezët triumfuan vitin e kaluar kundër Interit dhe mbërrijnë në finale me një rrugëtim të ngjashëm: play-off kundër Monacos, për të mposhtur më pas Chelsea, Liverpool dhe Bayern Munich. Përballja e dyfishtë kundër gjermanëve ishte një finale e parakohshme e vërtetë, e mbushur me gola dhe kthesa: nga 5-4 i ndeshjes së parë te tensioni i lartë i takimit të kthimit.
Kvaratskhelia ëndërron triumfin që do ta fuste mes kandidatëve për Topin e Artë, pas një Champions League me shifra dyshifrore, ndërsa Dembélé dhe Doué duan të nisen drejt Botërorit me një fitore, pas një sezoni të mbushur me probleme fizike dhe dëmtime. Në rrugën e francezëve, që synojnë përsëritjen e suksesit, qëndron Arsenali i Artetës. “Topçinjtë” kanë fituar Premier League pas njëzet e dy vitesh dhe synojnë “double”-in, që do t’i jepte një tjetër dimension projektit londinez.
Saka dhe shokët e tij mbërritën në aktin final me një rrugëtim më të lehtë, falë vendit të parë në League Phase (tetë fitore në tetë ndeshje): në të tetat kundër Leverkusenit, në çerekfinale kundër Sportingut dhe në gjysmëfinale kundër Atletico Madridit. Më pak spektakël dhe shumë konkretizim për Arsenalin, që konsiderohet më pak favorit se PSG-ja, por që dëshiron të bëjë histori.
Vështirë të ketë surpriza në zgjedhjet e trajnerëve, me Luis Enrique që rikuperon Nuno Mendes. Portugezi do të plotësojë mbrojtjen, me Hakimin në të djathtë dhe Marquinhos-Pacho në qendër, mesfusha me Joao Neves të mbështetur nga Vitinha dhe Fabian Ruiz, ndërsa sulmi do të përbëhet nga Dembélé me Kvaran dhe Doué.
Arteta do të përgjigjet me skemën klasike 4-2-3-1 dhe mund të rikthejë Odegaard, të preferuar ndaj Eze. Në krahë do të jenë Saka dhe Trossard, përpara Gyokeres, me Rice-Zubimendi në mesfushë dhe Calafiori titullar në mbrojtje. Kush do ta fitojë mes “Topçinjve” dhe kampionëve të Francës? Do ta mësojmë nga ora 18:00 e në vazhdim.