Dy ishin episodet, një për secilën skuadër, që meritonin kontrollin dhe më pas rishikimin në monitor. Të dyja ndodhën në pjesën e parë: e para lidhet me një protestë të katalanasve për një prekje të mundshme me dorë të Acerbi, e dyta shpjegon pse ishte e drejtë dhënia e penalltisë për ndërhyrjen e Cubarsí ndaj Lautaros.
Protestat e Barcelonës në aksionin pak hapa larg Sommer
Barcelona protestoi te arbitri Marciniak për një prekje me dorë të Acerbi-t të Interit. Është rasti për analizë që ndodh në minutën e 25-të të pjesës së parë, me skuadrën e Simone Inzaghit në epërsi 1-0. Katalanasit kërkuan një penallti, duke argumentuar se krahu i mbrojtësit ishte i ngritur dhe jo në pozicion të natyrshëm: e konsideruan atë gjest thuajse si një “pritje” disa metra nga porta e Sommer. Megjithatë, gjyqtari nuk pati asnjë dyshim për atë situatë shumë të rrezikshme në zonën zikaltër.
Pse Marciniak nuk dha penallti për prekjen me dorë nga Acerbi
Çfarë ndodhi? Pedri fiton një duel, krijon panik në të djathtë dhe tenton një pasim për Dani Olmo, por në trajektore ndodhet qendërmbrojtësi kundërshtar që ndërpret topin. Për arbitrin polak dhe ndihmësit në VAR nuk kishte bazë për të dhënë penallti: bëhet fjalë për një “top të papritur” dhe nuk ka asnjë qëllim nga ana e mbrojtësit Acerbi, lëvizja e të cilit konsiderohet e natyrshme në lidhje me pozicionin e trupit dhe dinamikën e aksionit. San Siro përjeton disa çaste ankthi gjatë kontrollit të shpejtë, por më pas vjen sinjali i arbitrit që tregon të vazhdohet: nuk është kryer asnjë shkelje.
Arbitri sheh në monitor faullin e Cubarsí ndaj Lautaros
Në fund të pjesës së parë vjen dyfishimi i Inter me penallti. Gjuajtja e 11-metërshit jepet nga arbitri vetëm pas një kontrolli në VAR dhe sugjerimit për ta vlerësuar personalisht, përmes rishikimit në monitor, atë situatë loje mjaft të diskutueshme.
Pse? Dyshimet lidhen të gjitha me rrëshqitjen e mbrojtësit të Barcelonës, i cili në përpjekje për të paraprirë Lautaro Martinez, e gabon kohën e ndërhyrjes. Edhe pse pamjet e para të përsëritjes sugjerojnë se ai e prek fillimisht topin, ka të tjera, nga një kamerë tjetër, që zbulojnë çfarë ndodhi në të vërtetë. Arritet në përfundim vetëm pas një kontrolli të gjatë dhe të kujdesshëm në kabinën e regjisë dhe kur Marciniak jep shenjën për rishikim, San Siro shpërthen.
Çfarë pa arbitri, duke akorduar penalltinë? Mbrojtësi spanjoll nuk e prek topin, por godet kyçin e këmbës së kapitenit zikaltër, i cili tregoi aftësi duke mbrojtur topin dhe pozicionin, duke u pozicionuar me zgjuarsi mes kundërshtarit dhe topit.
Nuk ka penallti për Yamal, faulli është jashtë zone
Në pjesën e dytë Barcelona kërkoi një penallti për ndërhyrjen e Mkhitaryan ndaj Lamine Yamal. Arbitri fillimisht e akordoi, por pas një kontrolli të VAR-it ndryshoi vendimin: faulli ishte, por ishte kryer thuajse në vijën e zonës, është vetëm goditje dënimi.