Ditën e hënë, protestuesit kanë vijuar marshimin në rrugët e Tiranës, duke mbyllur edhe ditën e 51-të të mobilizimit kundër qeverisë. Gjatë marshimit, ata kanë lënë një mbishkrim gjigant në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku shkruhet “23 korrik”. Ajo është data kur do të zhvillohet seanca e fundit plenare e Kuvendit para pushimeve verore. Me këtë mesazh, protestuesit paralajmëruan se do të rikthehen para Parlamentit, duke e cilësuar seancën e 23 korrikut si një moment të rëndësishëm të aksionit të tyre.
Dje gjatë ditës, qindra qytetarë u mblodhën para Kuvendit, ndërsa deputetët zhvillonin seancën plenare. Ata brohoritën thirrje si “Parlamenti i krimit”, “Rama, jep dorëheqjen” dhe “Nuk na përfaqësoni”, duke kërkuar largimin e qeverisë dhe ndryshimin e klasës politike. Pas tubimit para Kuvendit, protestuesit vijuan marshimin në rrugët e kryeqytetit, duke përsëritur thirrjen “Rama, jep dorëheqjen!” dhe duke paralajmëruar se protesta do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.