Duket se protestuesit kanë vendosur të kenë një skenar të ndryshëm nga ai sa pritej fillimisht.
Përveç grupit të vendosur pranë parlamentit, një grup është vendosur pranë Prokurorisë së Posaçme, aty ku kanë vijuar me thirrjet: Lironi çunat. Nga ana tjetër një grup protestuesit janë zhvendosur në Gjykatën e Tiranës, aty ku edhe do të mbahet sot seanca për masën e sigurisë të qytetarëve të shoqëruar gjatë protestës së zhvilluar ditën e hënë.
Në zonë pranë Kuvendit, protestuesit nuk janë lejuar që të vendosen pranë pedonales, aty ku edhe janë pritur herë të tjera deputetët të cilët më tej hyjnë në Kuvend. Ditën e sotme deputetët kanë hyrë në godinë me makina, ndryshe nga herët e tjera, ku në zonën e pedonales ata zbrisnin nga automjetet për të lëvizur më tej në këmbë drejt godinës së Kuvendit.