Banorët e fshatit Kurdari kanë protestuar sot para Bashkisë së Klosit kundër ndërtimit të një hidrocentrali në zonën e tyre. Ata e konsiderojnë ndërtimin një kërcënim serioz për jetesën e komunitetit, duke theksuar se HEC-i do të dëmtojë përfundimisht furnizimin me ujë të fshatit dhe do të ndikojë drejtpërdrejt në ekonominë e tyre bujqësore.
“Pa ujë nuk ka jetë. Nëse ndërtohet HEC-i, ose na zhvendosni nga fshati, ose do të vdesim ngadalë”, u shprehën disa prej protestuesve, të vendosur të mos tërhiqen pa ndalur punimet. Ata kujtuan se ky nuk është reagimi i parë: më herët janë organizuar protesta edhe te vepra e marrjes së ujit, ku ka pasur përplasje me forcat e policisë.
Banorët kërkuan ndërhyrje urgjente nga Bashkia e Klosit për të pezulluar projektin. Ata kërkojnë një zgjidhje të menjëhershme dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre. Kompania që po ndërton hidrocentralin ka deklaruar se disponon të gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe lejen për ndërtim që prej vitit 2019. Pavarësisht kësaj, banorët paralajmëruan se protestat do të vazhdojnë deri në ndalimin përfundimtar të punimeve.