Dhjetëra qytetarë janë mbledhur sot përpara Bashkisë Patos, në shenjë proteste kundër reformës së re administrative dhe propozimit për shkrirjen e Bashkisë Patos dhe bashkimin e saj me Bashkinë Fier. “Larg duart nga Patosi” ishte slogani që bashkoi qytetarët, të cilët shprehen kundër çdo vendimi, që sipas tyre rrezikon të cenojë identitetin dhe të ardhmen e qytetit.
Ata e konsiderojnë këtë reformë një tjetër hap drejt shpopullimit të Patosit dhe kërkojnë që zëri i banorëve të dëgjohet përpara se të merret një vendim për të ardhmen administrative të qytetit. Patosi është ndërtuar dhe zhvilluar mbi industrinë e naftës, ndërsa naftëtarët kanë qenë ndër kontribuesit kryesorë në historinë dhe zhvillimin e tij. Protestuesit shprehen se qyteti nuk mund të trajtohet thjesht si një pikë në hartë dhe se nuk do të lejojnë që vendimet administrative të prekin identitetin dhe të ardhmen e Patosit. Qytetarët kërkojnë që çdo ndryshim territorial të bëhet vetëm pas konsultimit me komunitetin dhe duke marrë në konsideratë historinë, kontributin dhe nevojat e banorëve të Patosit.