Pas protestave të dhunshme, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, paralajmëroi se “vendi është në një rrezik të madh” dhe se sipas tij, është vetëm çështje kohe kur pjesëmarrësit e protestave “do të vrasin dikë”, gjë për të cilën ai tha se përgjigjja e shtetit do të jetë shumë më ndryshe nga ajo që është parë deri tani.
“Pas gjashtë ose shtatë ditësh do të shihni një veprim shumë vendimtar. Në tri ose katër ditët e ardhshme do t’ju duket sikur jemi tërhequr si shtet, sikur nuk ekzistojmë, sikur jemi të mundur. Por në një moment do të shihni gjithë vendosmërinë e shtetit serb,” u shpreh Vuçiç.
Ai shtoi se Serbia do të përdorë çdo mjet të mundshëm për të rikthyer rendin, paqen dhe qetësinë në vend.
“Do t’u kundërvihemi të gjitha presioneve të jashtme, atyre që na kërcënojnë dhe na tregojnë se çfarë na lejohet e çfarë jo, ndërsa deri tani nga ata kemi parë vetëm përpjekje për të futur kaos në vendin tonë. Ne do të fitojmë,” tha presidenti serb.