Protesta është zhvendosur nga zona e Kryeministrisë drejt rrugëve të Tiranës, ndërsa policia ka nisur ndjekjen dhe shoqërimin e disa prej protestuesve. Tensionet janë përqendruar edhe në zonën e “Myslym Shyrit”, ku drejt një autoboti të policisë janë hedhur bomba molotov. Grupe të tjera protestuesish janë shpërndarë në rrugicat përreth për t’iu shmangur ndërhyrjes dhe shoqërimeve.
Zhvendosja vjen pas përplasjeve përpara Kryeministrisë, ku nga turma u hodhën molotovë drejt efektivëve, ndërsa policia ndërhyri me gaz lotsjellës, ujë me presion dhe solucion irritues. Më herët, protestuesit rrëzuan edhe një dron të policisë që po monitoronte tubimin.