Nëse protesta e kaluar kishte si kryefjalë të saj “mosbindjen civile”, këtë të martë opozita do të udhëhiqet nga ideja e “bllokadës qytetare”, një sllogan i ri që Sali Berisha e ka shpërndarë për ndjekësit e tij në rrjetet sociale. Në protestën e radhës, tentohet paralizimi i lëvizjes në akset kryesore të vendit për të këmbëngulur tek qeveria teknike pa Edi Ramën, si parakusht për zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Me ndryshimin e slloganit, Berisha i ka shpëtuar edhe kurthit të “mosbindjes civile”, që i kërkohej protestuesve, ndërkohë që lideri vetë e respektonte masën e sigurisë “arrest shtëpie” që i ka caktuar SPAK.
Bashkë me idenë e bllokadës qytetare, në posterin e publikuar në rrjetet sociale janë shënuar edhe kryqëzimet që duket se të martën pas orës 17:00 do të paralizohen nga opozita dhe që janë:
• Segmenti Casa Italia – Sheshi “Shqiponja”
• Rrethrrotullimi Milot
• Rrethrrotullimi Shkozet
• Rrethrrotullimi Bradashesh
• Rrethrrotullimi Rrogozhinë
• Rrethrrotullimi Levan