Për të tretën ditë me radhë, banorët e fshatit Baks-Rrjoll në Velipojë kanë vijuar protestën e tyre kundër ndërtimit të një resorti turistik në zonë, duke paralajmëruar përshkallëzim të situatës me bllokim të rrugëve dhe një protestë para dyerve të SPAK.
Një nga banorët protestues deklaroi se kundërshtimet do të jenë “të pandalshme” derisa të zgjidhet çështja e pronave, për të cilat ata pretendojnë se po u grabiten për t’i hapur rrugë ndërtimit.
Sipas tij, projekti kërcënon rreth 80 banesa. Protestuesi drejtoi akuza të forta ndaj qeverisë, duke e krahasuar Kryeministrin Edi Rama me Enver Hoxhën dhe Ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, me Themie Thomain.
“Ne i kërkojmë shtetit, kryeministrit Edi Rama dhe Belinda Ballukut që ka firmosur,” tha ai, duke akuzuar gjithashtu biznesmenin Bashkim Ulaj dhe një ish-zyrtar të quajtur Fatmir Shpellza si përgjegjës për situatën. Banorët paralajmëruan se do ta përshkallëzojnë protestën duke bllokuar rrugën kryesore. Gjithashtu, ata bënë thirrje për një protestë të nesërmen para Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku kërkojnë të priten nga drejtuesit e saj.
“Do ta presin popullin e Rrjollit nga ora 11:00 te dera,” u shpreh protestuesi. Duke theksuar se kanë dokumente ligjore dhe vendime gjyqësore për pronat e tyre, banorët i bënë thirrje edhe kryetarit të Bashkisë Shkodër, Benet Beci, që të interesohet për hallin e tyre. “Ne nuk jemi popull Izrael që kemi ardhur të zëmë tokat e kurrkujt. Ne jemi popull që i kemi me letra,” deklaroi ai.
Në lidhje me prezencën e forcave të shumta policore, banorët kërkuan që të mos ushtrohet dhunë ndaj tyre, duke siguruar se protesta do të jetë paqësore. Megjithatë, ata denoncuan se një ditë më parë, disa të rinj ishin arrestuar nga policia. Protestuesit janë të vendosur të mos tërhiqen, duke këmbëngulur se do të vazhdojnë kundërshtimet derisa autoritetet të dëgjojnë zërin e tyre dhe të ofrojnë një zgjidhje për çështjen e pronësisë.