Mijëra njerëz demonstruan në Bukuresht dhe qytete të tjera në Rumani të premten kundër korrupsionit në sistemin gjyqësor. Protestat filluan të mërkurën pas publikimit të një hetimi nga platforma Recorder, i cili zbuloi dëshmi të gjyqtarëve dhe prokurorëve rreth presionit nga zyrtarë të lartë.
Pjesëmarrësit në demonstratën e së premtes kërkuan dorëheqjen e ministrit të drejtësisë, presidentit të Gjykatës Supreme dhe disa zyrtarëve të lartë.
“Shoqëria civile nuk e pranon një sistem që është i korruptuar në thelb dhe i projektuar për t’u manipuluar nga brenda”, tha për AFP-në Vlad Voinea, 40 vjeç, i cili iu bashkua tubimit me vajzën e tij, ndërsa protestuesit brohorisnin slogane të tilla si “Drejtësi, jo korrupsion”, “Hajdutë” dhe “Ju shohim”.
Michnea Mihai, 31 vjeç, i cili mbante një pankartë ku shkruhej “Respekt për gjyqtarët e ndershëm”, tha se iu bashkua marshimit për të shprehur mbështetjen e tij për gjyqtarët që patën guximin të denonconin ndërhyrjen dhe të inkurajonin të tjerët të ndiqnin shembullin e tyre.
Që nga publikimi i tij, hulumtimi ka pasur tashmë më shumë se 3.5 milionë shikime në YouTube. Qindra gjyqtarë nënshkruan një letër të hapur duke denoncuar “mosfunksionimet sistemike” dhe duke shprehur solidaritetin e tyre me kolegët “që patën guximin të ekspozonin problemet dhe presionet brenda sistemit gjyqësor”.
Presidenti rumun Nicăușor Dan bëri thirrje për dialog me gjyqtarët më 22 dhjetor, duke theksuar në një postim në Facebook se kur qindra gjyqtarë shprehin shqetësime në lidhje me “integritetin” brenda sistemit gjyqësor, “situata është shumë serioze”.
Sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, Rumania është ndër vendet më të korruptuara në Bashkimin Evropian.