Policia ka proceduar penalisht 17 persona pas protestës së zhvilluar në Zvërnec, ku banorët kundërshtojnë zbatimin e një projekti ndërtimor nga një kompani private.
Në ktë zonë të mbrojtur të Shqipërisë po investon Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump.
Aty prej javësh janë evidentuar punime që kanë shkaktuar reagime të forta nga ambientalistët dhe komunitetet lokale, të cilët janë përplasur me policinë dhe autoritetet.
Sipas Policisë, gjatë tubimit situata është përshkallëzuar, ndërsa një grup protestuesish ka tentuar të prishë rrethimin e kantierit. Në këtë situatë, një prej protestuesve, shtetasi me iniciale E.S., është futur me forcë brenda territorit të kantierit dhe është shoqëruar nga punonjësit e kompanisë private të sigurisë.
Policia bën me dije se gjatë shoqërimit, protestuesi ka pësuar dëmtime trupore. Pas ndërhyrjes së efektivëve, ai është nxjerrë nga ambientet ku mbahej dhe më pas ka depozituar kallëzim ndaj dy punonjësve të sigurisë private, të cilët u proceduan penalisht për ngjarjen. Në vijim të hetimeve, autoritetet proceduan edhe 15 pjesëmarrës në protestë, të dyshuar për veprime të dhunshme dhe dëmtim të rrethimit të kantierit.
Njoftimi i policisë:
Më datë 30.05.2026, është zhvilluar një tubim i organizuar nga banorë të fshatit Zvërnec, në vendin e quajtur “Portonovë”, të cilët kundërshtojnë zbatimin e një projekti ndërtimor nga një kompani private.
Policia e Vlorës, pas njoftimit të marrë nga banorët për zhvillimin e këtij tubimi, ka marrë masat e nevojshme për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për mbrojtjen e pronës private.
Gjatë tubimit, situata është përshkallëzuar dhe një grup protestuesish kanë kryer veprime të dhunshme me qëllim prishjen e rrethimit të kantierit të kompanisë.
Në këto rrethana, njëri prej protestuesve, shtetasi E. S., është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit dhe është shoqëruar nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë në ambientin e përcaktuar për rojet. Gjatë shoqërimit nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë, shtetasit E. S. i janë shkaktuar dëmtime trupore.
Menjëherë kanë ndërhyrë shërbimet e Policisë, të cilat kanë nxjerrë shtetasin E. S. nga ambienti ku mbahej nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë. Më pas, ai është paraqitur në ambientet e DVP Vlorë, ku ka bërë kallëzim ndaj dy punonjësve të kësaj shoqërie.
Në vijim të veprimeve procedurale, u proceduan penalisht dy punonjësit e shoqërisë private të sigurisë, konkretisht shtetasit G. V., 41 vjeç, dhe A. G., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Po në vijim të veprimeve procedurale, u proceduan penalisht edhe 15 shtetas pjesëmarrës në tubim, të cilët dyshohet se kanë kryer veprime të dhunshme me qëllim prishjen e rrethimit të kantierit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”