Policia e Tiranës ka njoftuar zyrtarisht arrestimin e 4 shtetasve që morën pjesë në protestën e organizuar ditën e djeshme nga Partia Demokratike, ndërsa është proceduar deputeti Klevis Balliu.
Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!Sipas njoftimit u arrestuan shtetasit Leonardo Marku, 20 vjeç, Robespier Dervishaj, 33 vjeç, Doris Rista, 21 vjeç dhe Sergei Rapo, 36 vjeç, për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.
Gjithashtu, sipas autoriteteve “u referuan materialet në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për shtetasin Klevis Balliu, deputet, pasi ka shkelur ligjin nr. 9754, datë 14.06.2007 “Për Përgjegjësinë Penale të Personave Juridikë” si dhe për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme””.
Po ashtu është proceduar në gjendje të lirë një shtetas i mitur, 16 vjeç, pasi iu gjet me vete municion i dyshuar për armë sportive.
Sakaq, policia ka njoftuar po ashtu se janë administruar pamjet filmike të protestës dhe vijon këqyrja e tyre për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në veprimtari kriminale.