Protesta e opozitës parashikohet të nisë sot rreth orës 18:00 para kryeministrisë. Ashtu si një javë më parë, policia e Tiranës nuk e ka autorizuar tubimin, por ka marrë masa për sigurimin e rendit. Mbi 1300 efektivë janë në gatishmëri. Policia ka vendosur autobot ujë, zjarrfikëse dhe ambulanca në rast nevoje. Në këtë protestë nuk do të ketë podium dhe as fjalime. Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nuk është bllokuar.
Sipas njoftimit të policisë, Partia Demokratike ka njoftuar për tubimin, por për shkak të incidenteve të mëparshme dhe informacionit mbi rrezikun e përsëritjes së tyre, policia nuk garanton zhvillimin e tubimit. Megjithatë, policia ka marrë të gjitha masat për rendin dhe sigurinë publike. Ajo apelon që qytetarët të distancohen nga çdo veprim i dhunshëm dhe të raportojnë çdo paligjshmëri.