Protesta/ DW: Për tri orë u përsëritën kërkesat për dorëheqjen e Ramës e Ballukut

Mes mjeteve piroteknike, përplasjeve fizike dhe gazit lotsjellës u zhvillua protesta e dyte kombëtare e thirrur këtë të shtunë (24.01) nga opozita shqiptare. Protestuesit hodhën bomba molotovë drejt Kryeministrisë, ndërsa policia reagoi me ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit 11 efektivë u lënduan. Rreth 20 protestues u shoqëruan.

Për rreth tri orë, opozita përsëriti kërkesat e saj politike: dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, si dhe ngritjen e një qeverie teknike që do të përgatisë vendin për zgjedhje të parakohshme.

Berisha: “Stina e rezistencës do të vijojë

“Opozita ka arritur në kilometrin e fundit, para triumfit të saj” – u shpreh kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, përpara protestuesve që ishin vendosur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë godinës qeveritare. Ai përsëriti akuzat ndaj qeverisë, duke thënë se “sot shumica e shqiptarëve e ka të qartë se Edi Ramakryeson organizatën kriminale më të rrezikshme në Europë”. Fundi i fjalimit të tij, duke mbajtur në dorë një flamur kombëtar, shënoi edhe nisjen e hedhjes së molotovëve dhe fishekzjarreve në drejtim te Kryeministrisë. Forcat e policisë u kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës dhe ujë. Më pas protesta u zhvendos drejt godinës së Kuvendit të Shqipërisë, ku pati përplasje të tjera mes protestuesve dhe forcave të rendit.

Pas përfundimit të protestës, Berisha deklaroi se aksioni opozitar nuk do të ndalet me këtë tubim, pasi sipas tij “stina e rezistencës do të vijojë”.

Reagime për protestën
Protesta e së shtunës u zhvillua në një moment të tensionuar politik, disa ditë pas një përplasjeje institucionale mes qeverisë dhe drejtësisë. Në qendër të debatit është vendimi i Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, një vendim që kryeministri Edi Rama e ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit ende nuk ka marrë një vendim./ DW

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top