Prokurori i Ballukut u kërcënua? Reagon Dumani: Premçi ka të gjithë mbështetjen time

Kreu i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, në një intervistë ekskluzive për emisionin “Trialog” në RTSH, në moderimin e Alba Alishanit, ka folur për herë të parë drejtpërdrejt për hetimin ndaj Zëvendëskryeministres Belinda Balluku, si dhe ka folur për menaxhimin e informacionit në dosjet e ndjeshme.

Transparenca dhe hetimi i Ballukut

Lidhur me informimin e publikut për hetimin ndaj Ballukut, Dumani theksoi kujdesin e SPAK për të ruajtur integritetin e hetimit dhe respektimin e të drejtave të subjektit: “Njoftimi u bë ditën që iu komunikua akuza.”

Kreu i SPAK pranoi vështirësinë për të gjetur balancën mes transparencës dhe ruajtjes së sekretit hetimor. Ai sqaroi se njoftimet bëhen në fazën e ngritjes së akuzës ose kur çështja shkon për gjykim, dhe komunikimi bëhet vetëm përmes faqes zyrtare.

Lidhur me rrjedhjet e shpeshta të informacionit në media, Dumani shpjegoi: “Nga verifikimet e shpeshta, kur media publikon përmbajtje të dosjes hetimore, ka rezultuar se media ka marrë informacion kur ne si institucion komunikojmë me akte me personat në hetim dhe mbrojtësit e tyre. Nuk them se nuk mund të ketë rrjedhje dhe nga SPAK, por ne këtë e kemi minimizuar shumë.”

Mbështetja për prokurorin e çështjes

Dumani i dha fund edhe zërave për një kërcënim të mundshëm ndaj prokurorit që ndjek çështjen e Zëvendëskryeministres. Ai konfirmoi mbështetjen e plotë për Prokurorin Dritan Premçi, si dhe për të gjithë prokurorët e tjerë.

“Asgjë nuk është e vërtetë nga ato që thuhen për kërcënim të prokurori të çështjes nga ana ime. Prokurori Premçi ka të gjithë mbështetjen time. Kam kontakte të shpeshta me të,” tha Dumani.

Ai shtoi se prokurori Premçi nuk i ka shprehur asnjë shqetësim për ndonjë kërcënim të mundshëm në adresë të tij, qoftë nga Kryeministri apo kushdo tjetër, duke theksuar se prokurorët janë të pavarur dhe zot të çështjeve të tyre.

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse SPAK po trondit politikën dhe krimin, Dumani theksoi parimin themelor të punës së prokurorisë:

“SPAK që nga krijimi i tij 6 vite më parë, ka treguar se ka dhënë shenja se nuk ka të paprekshëm. Të gjithë janë të barabartë para ligjit, pavarësisht funksionit që ata kanë, politik, publik apo fuqisë financiare që mbartin.”

Ai hodhi poshtë akuzat për selektivitet, duke besuar se këto vite kanë vërtetuar që SPAK është i aftë të ushtrojë ndjekjen penale ndaj çdo subjekti. Për të provuar suksesin, Dumani u shpreh se duhet pritur edhe vulosja e vendimeve në gjykata: “Tani vendime të para të formës së prerë kanë ardhur. Kemi zyrtarë shumë të lartë, të lartë që janë dënuar me vendime të formës së prerë të gjykatave.”

Fokusimi tek prova, jo te emri

Kreu i SPAK nënvizoi se puna e tyre nuk kufizohet vetëm në luftën kundër korrupsionit, por përfshin edhe krimin e organizuar dhe terrorizmin, fusha ku ka pasur bashkëpunim të suksesshëm me agjensitë ndërkombëtare të zbatimit të ligjit në Evropë, SHBA dhe Rajon.

Sa i përket prioriteteve në hetime, Dumani ishte kategorik: “Ne nuk i ndajmë hetimet sipas përkatësisë politike dhe funksioneve publike, por për ne është e rëndësishme prova. Për prokurorët e SPAK është e rëndësishme prova dhe jo emri.”

Ai shtoi se periudha 3-vjeçare në drejtimin e tij ka koinciduar me rritje të numrit të hetimeve për organizata dhe grupe kriminale, duke u përpjekur gjithmonë për hetime shteruese dhe respektim të të drejtave të të pandehurit. /Marrë nga rtsh.al

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top