Duket sikur britanikët e kanë haruar mërinë dhe mospelqimin ndaj Tony Blair, që u rrit ndjeshëm pasi ai i’u bashkua SHBA-ve në luftën kundër Irakut. Nëse laburistët rikthehen në pushteti ish kryeministri që fitoi zgjedhjet e 1997, mund të luajë sërish një rol të rëndësishëm. Gazeta “Daily Telegraph” shkruajti pak kohë më parë: “Tony Blair po përgatitet të sundojë sërish Britaninë”. “New York Times” bën një portret të tij dhe të institutit për Ndryshimet Globale që ai drejton…
Ka kaluar një dekadë e gjysmë që kur Tony Blair u largua nga zyra kryeministrore në Downing Street.
Ama një çështje ende e përndjek ish-kryeministrin britanik në sytë e shumë britanikëve: vendimi i tij katastrofik për t’iu bashkuar pushtimit të Irakut të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kur Blair-it iu dha titulli “Kalorës” nga Mbretëresha Elizabeth II vitin e shkuar, më shumë se një milion njerëz nënshkruan një peticion duke kërkuar anulimin e tij.
Dhe brenda Partisë së tij Laburiste, ai mbeti një figurë komplekse, e urryer nga krahu i të majtës ekstreme, ndërsa admirohej pa entuziazëm nga disa që vunë re se ai ishte i vetmi lider i partisë që kishte fituar tre zgjedhje radhazi britanike.
Sot, kur opozita laburiste po forcohet nën drejtimin e liderit të saj, Keir Starmer, Blair befas, dhe në mënyrë të jashtëzakonshme, po rikthehet si favorit dhe i pëlqyer.
Ish-kryeministri ka karizëm dhe aftësi komunikimi që Starmer-it i mungojnë, asete që mund të jenë të dobishme me afrimin e zgjedhjeve të përgjithshme.
Muajin e kaluar, të dy burrat u shfaqën në skenë së bashku, duke shkëmbyer komplimente në një konferencë të shkëlqyeshme të organizuar nga Instituti Tony Blair për Ndryshimet Globale – një organizatë që punon për qeveritë në mbarë botën dhe nxjerr politika që mund të ndihmojnë Laburistët.
Blair, tani 70 vjeç, është i thinjur, më i hollë dhe fytyra e tij pak më e dobët se kur u largua nga Doening Street në 2007-n.
Por ai e mbizotëroi pa mundim skenën ndërsa i tha audiencës se Britania do të ishte në duar të sigurta nëse Starmer fiton në zgjedhjet e ardhshme.
“Ishte sikur po shpallej pasardhësi apostolik”, tha John McTernan, një strateg politik dhe dikur ndihmës i Blair, i cili shtoi se “kimia midis dy burrave të bënte të mendosh se ata flasin shumë dhe e kuptojnë njëri-tjetrin”.
Jill Rutter, një ish-nëpunëse civile dhe një bashkëpunëtore e lartë në Institutin për Qeverinë tha se Blair “ka qenë qartësisht i prirur të rifuste veten si një lojtar i madh në politikën britanike”, por Starmer “është lideri i parë që duket i gatshëm ta lejojë atë ta bëjë këtë”.
Gazeta “Daily Telegraph” me prirje të djathtë ishte më e prerë.
“Tony Blair po përgatitet të sundojë sërish Britaninë – dhe Starmer thjesht mund ta lejojë atë”.
Blair udhëhoqi laburistët në pushtet në 1997 në një fitore dërrmuese dhe ishte kryeministër për një dekadë, duke e zhvendosur partinë në qendër, duke ndihmuar për të negociuar një marrëveshje paqeje në Irlandën e Veriut dhe duke kryesuar një ekonomi mjaft të fortë për të investuar në shëndetësi dhe arsim.
Por deri në fund të mandatit të tij, dhe ndërsa Iraku u zhyt në kaos, publiku ishte zemëruar.
Pushtimi çoi në vite të tëra dhune sektare në Irak dhe ngritjen e grupeve militante islamike që u bënë pararendëse të Shtetit Islamik.
Reputacioni i Blair pas Downing Street u dëmtua më tej nga puna fitimprurëse e konsulencës për qeveritë me të dhëna të dyshimta.
Pyetje të tilla janë ngritur edhe për institutin e tij.
“Sunday Times” e Londrës raportoi së fundmi se instituti vazhdoi të këshillonte qeverinë e Arabisë Saudite pas masakrës së shkrimtarit Jamal Khashoggi dhe ende merrte para nga mbretëria.
Asnjë nga këto kritika nuk e ka ndalur një afrim që do të kishte qenë i pakonceptueshëm ndërsa laburistët drejtoheshin nga paraardhësi i Starmer, Jeremy Corbyn, një kundërshtar i ashpër politik i Blair.
Tani, lidhjet e tyre janë aq të ngrohta, saqë kur ish-kryeministri festoi ditëlindjen së fundmi në një restorant në Londër, Starmer shkoi për t’ia uruar atij.
“Tony sapo ka vazhduar pas një periudhe në të cilën Partia Laburiste nuk donte që ai të ishte pranë”, tha Alastair Campbell, ish-zëdhënësi i Blair.
“Ai është i mirë në atë që bën, ai është ende shpjeguesi më i besueshëm i situatave të vështira”.
Disa shohin një shëmbëlltyrë politike të ditëve moderne në kthimin e Blair.
Rehabilitimi politik i Blair është ndihmuar nga krahasimet me një parti qeverisëse Konservatore që ka kryesuar mbi trazirat politike.
Vitet e bllokimit mbi Brexit u thyen kur Boris Johnson fitoi në 2019 – vetëm për t’u dëbuar nga Downing Street vitin e kaluar nën një re skandali.
Ai u zëvendësua nga Liz Truss, kryeministrja britanike me mandatin më të shkurtër në histori, përpara se Rishi Sunak të rivendoste njëfarë stabiliteti.
“Ne kemi pasur një varg të tillë kryeministrash të dështuar saqë, për të parë dikë që komandonte skenën, shikon prapa dhe thua: ai ishte një kryeministër dominues mjaft i madh’, tha Rutter.
Rezultati i institutit ka ndihmuar gjithashtu në ndryshimin e imazhit të Blair.
Me rreth 800 anëtarë të stafit të shpërndarë nëpër botë në Abu Dhabi, Akra, San Francisko, Singapor dhe New York, dhe një zyrë elegante dhe moderne në West End të Londrës, instituti ka pasur ndikim edhe mbi qeverinë konservatore.
Campbell, ish-zëdhënësi i tij, shtoi se puna e institutit e tregoi Blair në një dritë të re, duke fituar para jo vetëm për veten e tij, por edhe “për të ndërtuar një organizatë, frytet e së cilës njerëzit po i shohin tani”.
Ndoshta pyetja më e madhe është: Po tani?
Nëse laburistët fitojnë pushtetin, për Blair do të hapen më shumë mundësi për ndikim.
Rutter sugjeron se ai e ka ndërtuar institutin e tij pjesërisht sepse, kur ishte në Downing Street – që ka relativisht pak anëtarë të stafit në krahasim me departamentet qeveritare – ai besonte se kishte shumë pak ekspertë në dispozicion.
Sipas saj, çështja është nëse Blair është i kënaqur që të ketë një institut që nxjerr raporte që një qeveri laburiste mund ose nuk mund të dëshirojë t’i shikojë, apo nëse ai do të kërkojë të jetë më shumë një fuqi pas fronit.
“Blair është përpjekur të grumbullojë një pjesë të madhe të aftësisë politike – problemi i vetëm për të tani është se ai nuk është kryeministër”.
“New York Times”