Shkrimtari hungarez László Krasznahorkai, i njohur për romanet e tij me fjali që zgjasin faqe të tëra, u shpall fitues i Çmimit Nobel në Letërsi të enjten.
Akademia Suedeze, që organizon çmimin, njoftoi se Krasznahorkai u vlerësua “për krijimtarinë e tij të fuqishme dhe vizionare që, në mes të terrorit apokaliptik, ripohon fuqinë e artit.”
Ky çmim, nderimi më i lartë në letërsi botërore, është zakonisht kurorëzimi i një karriere të gjatë. Në listën e fituesve ndër vite përfshihen emra si Saul Bellow, Toni Morrison, Harold Pinter dhe, në vitin 2016, Bob Dylan.
Krasznahorkai (shqiptohet Kras-na-hor-kai), 71 vjeç, është i njohur për prozën e tij të dendur, me fjali që rrjedhin për faqe të tëra dhe me tema të errëta, shpesh apokaliptike.
Shkrimtarja amerikane Susan Sontag e ka quajtur “një mjeshtër të apokalipsit”, ndërsa regjisori i famshëm hungarez Béla Tarr ka përshtatur disa nga veprat e tij në film.
Një nga veprat më të njohura të Krasznahorkait, “The Melancholy of Resistance” (Melankolia e Rezistencës), u botua në hungarisht në vitin 1989 dhe u përkthye në anglisht në vitin 1998. Tarr e solli në ekran në vitin 2000 me filmin “Werckmeister Harmonies”, tashmë një klasik i kinemasë evropiane.
Romani, i përbërë praktikisht nga një e vetme fjali që shtrihet për mbi 300 faqe, rrëfen ngjarjet e një qyteti të vogël hungarez pas mbërritjes së një cirku që shoqërohet me një balenë gjigante të balsamosur, një metaforë për absurditetin dhe shkatërrimin moral.
Vepra e tij më e fundit e përkthyer në anglisht është “Herscht 07769” (2024), një roman 400-faqësh që përmban vetëm një pikë. Ai tregon historinë e një pastruesi grafitesh në Gjermani, i cili i shkruan letra kancelarës Angela Merkel, për ta paralajmëruar për fundin e afërt të botës.
Në një intervistë për The New York Times në vitin 2014, Krasznahorkai tha se synonte të krijonte një stil “plotësisht origjinal”:
“Dëshiroja të isha i lirë të largohesha nga pararendësit e mi letrarë, të mos bëja një version të ri të Kafkës, Dostojevskit apo Faulknerit.”
Në njoftimin e sotëm, Steve Sem-Sandberg, anëtar i Komitetit të Nobelit, e përshkroi stilin e tij si “epik, muzikor dhe të fuqishëm”.
“Është vështrimi artistik i Krasznahorkait i çliruar nga çdo iluzion dhe që sheh përmes brishtësisë së rendit shoqëror, i bashkuar me besimin e tij të palëkundur në fuqinë e artit, që e ka shtyrë Akademinë ta shpërblejë,” — shtoi ai.
Nga Hungaria komuniste në letërsinë universale
Krasznahorkai lindi në vitin 1954, në qytetin Gyula, rreth 200 kilometra nga Budapesti, në një familje hebreje hungareze. Babai i tij ishte jurist, ndërsa e ëma punonte në Ministrinë e Mirëqenies Sociale.
Pas shkollës, kreu shërbimin ushtarak, por siç ka treguar vetë, dezertoi pas dënimeve për mosbindje. Më pas punoi në profesione të ndryshme, përfshirë pianist në një grup xhazi, ndërsa studioi letërsi hungareze në Budapest.
Romani i tij i parë, “Satantango” (1985), që përshkruan jetën në një fshat të varfër të Hungarisë, u bë menjëherë një sensacion letrar në vendin e tij.
Filmi i Béla Tarr-it me të njëjtin titull, i xhiruar në vitin 1994, zgjat mbi shtatë orë dhe konsiderohet një ndër veprat më të rëndësishme të kinemasë evropiane moderne.
Gjatë dekadave të fundit, Krasznahorkai është vlerësuar gjerësisht edhe jashtë Hungarisë.
Në 2015, fitoi Man Booker International Prize, që në atë kohë jepej për gjithë krijimtarinë e një autori.
Kryetarja e jurisë, Marina Warner, e quajti “një shkrimtar vizionar me intensitet dhe shtrirje të jashtëzakonshme, që arrin të kapë teksturën e ekzistencës moderne me skena që janë njëherësh të frikshme, të çuditshme, komike dhe mahnitëse në bukurinë e tyre.”
Një Nobel që pasqyron ndryshimin në letërsinë botërore
Në vitet e fundit, Akademia Suedeze është përpjekur të zgjerojë diversitetin e fituesve të Nobelit në letërsi, pas kritikave se shumica e laureatëve ishin burra nga Europa ose Amerika e Veriut.
Fituesja e vitit të kaluar ishte Han Kang, autorja koreano-jugore e romanit “The Vegetarian”, një vepër surrealiste për një grua që ndalon së ngrëni dhe përpiqet të jetojë vetëm me dritën e diellit.
Ndërsa në vitet e fundit çmimi ka shkuar edhe te Abdulrazak Gurnah, romancier nga Tanzania që trajton pasojat e kolonializmit dhe përvojën e emigrimit, si dhe te Annie Ernaux, shkrimtarja franceze që përshkruan me ndershmëri brutale jetën e saj personale, nga përditshmëria te trauma.
Krasznahorkai, i cili prej vitesh përmendej nga bastet si favorit për Nobelin, është hungarezi i dytë që fiton këtë çmim pas Imre Kertész, shkrimtarit dhe të mbijetuarit të Holokaustit që u nderua në vitin 2002.