Ekonomia shqiptare u rrit vitin e shkuar pavarësisht krizës së çmimeve. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se Prodhimi i Brendshëm bruto gjatë 2022-shit u rrit me 4.84 për qind, niveli më i lartë në një dekadë me përjashtim të vitit 2021.
Të dhënat nga INSTAT tregojnë se ritmet e rritjes ekonomike u rikthyen pozitive pas ngadalësimit në tremujorin e dytë, ndikuar nga sezoni turistik veror ku Prodhimi i brendshëm Bruto u zgjerua me 4 për qind dhe fund-vitit me 4.73 për qind.
Në tremujorin e katërt që përkon me muajt tetor, nëntor dhe dhjetor rritja rezulton të ketë ardhur kryesisht si pasojë e ecurisë së mirë të tregtisë, ndërtimit dhe turizmit, ndërsa negativisht kanë ndikuar bujqësia dhe aktivitetet që lidhen me argëtimin.
Marrë në harkun e 12 muajve, bujqësia rezulton të ketë pasur një vit të mirë, me rritje të prodhimit dhe eksporteve vitin e shkuar, por që nuk arriti të konkretizohej edhe në rritje të ekonomisë. Pavarësisht rritjes së punësimit dhe pagave, ky sektor arriti të kontribuojë me vetëm 0.05 pikë përqindje në rritjen ekonomike vjetore.
Ndërkohë institucionet ndërkombëtare, përfshirë Bankën Botërore, Fondim Mondetar Ndërkombëtar apo agjencinë Moody’s paralajmërojnë se “2023-shi nuk do të jetë viti më i mirë”, të paktën në një drejtim, atë të ekonomisë. Në mosrecesion do të ketë “ngadalësim ekonomik”, ku rritja është thuajse zero.