Qytetarët kanë dalë sërish në protestë këtë të shtunë në Prishtinë, duke kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn, e vrarë të dielën e kaluar në Vitomiricë të Pejës. Marshimi nisi nga sheshi “Zahir Pajaziti”, me thirrje për më shumë mbrojtje për gratë që përballen me dhunën dhe më shumë përgjegjësi nga institucionet.
Mes kërkesave të protestuesve janë sigurimi i banimit social për të mbijetuarat e dhunës në familje, një veting i pavarur në sistemin e drejtësisë dhe legalizimi i sprejit për vetëmbrojtje për gratë. “Drejtësi për Arlindën!” dhe “Drejtësi për gratë e vrara!” ishin disa nga thirrjet që shoqëruan marshimin. Pas ndalesës para godinës së Qeverisë, protestuesit janë drejtuar drejt Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ku kanë vijuar kërkesat për përgjegjësi institucionale.