Në garën e primareve të PD për qarkun e Tiranës kanë konkurruar mes njëri-tjetrit 82 kandidatë. Ky qark shënoi gjithashtu një numër të lartë votuesish, ndërsa i pari në renditjen finale është Hysen Kadiu.
Kryetari i PD-së së Kavajës ka marrë një numër të lartë votash në Kavajë dhe Rrogozhinë, çka e ka bërë të sigurojë vendin e parë në renditjen finale.
Pas tij, në garë është renditur Klevis Balliu, ndërsa numri dy i FRPD, Grigels Muçollari, ka zënë vendin e tretë. Pas tij, me më shumë vota nga demokratët e qarkut të Tiranës, është renditur mjeku i njohur Ilir Alimehmeti, ndërsa e pesta në listë (dhe e para nga gratë) ka dalë Jorida Tabaku.
Gara e primareve në qarkun e Tiranës ka qenë më e forta mes demokratëve, të cilët patën mundësinë të zgjedhin mes një numri të lartë kandidatësh. Në total, në Tiranë votuan rreth 13 mijë demokratë, ndërsa në rang vendi, PD deklaroi se kanë votuar 50,854 persona.