John Obi Mikel, ish-mesfushori i Chelsea, bëri disa deklarata interesante në Obionepodcast, duke treguar një histori të prapaskenës së transferimit të Victor Osimhen. Ish-mesfushori, i cili pretendon se ka ndjekur nga afër negociatat, tregon se si shkoi situata. “Ishte shumë afër me Chelsea. Ne ishim shumë, shumë afër. Ishim një hap larg arritjes së kësaj marrëveshjeje, por kishte vetëm disa probleme të vogla. Probleme të vogla, të cilat thjesht nuk mundëm t’i kapërcenim. Edhe nëse do ta kishim përfunduar marrëveshjen, ishte tepër vonë për vizitat mjekësore”.
Nëse Chelsea do të kthehej në sulm, sipas Obi Mikel, marrëveshja do të mbyllej lehtësisht: “Unë e di saktësisht se ku u ndalëm. Nëse në fund, e ke parasysh, le të themi, në janar ose verën e ardhshme, ne do të rifillonim negociatat, e di ekzaktësisht se ku jemi dhe ku duhet të fillojmë sërish. E di se cfarë i ofroi klubi. E di ku kemi arritur. Në fund arritëm në një kompromis. Ishin vetëm gjëra të vogla, vizitat mjekësore dhe pak probleme që nuk mundëm t’i kapërcenim. Nuk kishim shumë kohë në dispozicion”.
PËRSE OSIMHEN?
Obi Mikel mbron fuqishëm mikun dhe bashkatdhetarin e tij. “Victor është i zhgënjyer, ai me të vërtetë donte të vinte te Chelsea dhe ai duhej të bënte kompromis për të arritur një marrëveshje për sa i përket pagës, për atë që donte. Kishte vetëm disa detaje të vogla këtu dhe atje që ne nuk mund t’i kalonim. Victor nuk është një djalë i pangopur, ai thjesht dëshiron të luajë futboll dhe të marrë atë që meriton, dhe ky nuk është problem. Një lojtar që e di se çfarë vlen dhe kërkon të paguhet atë që vlen, nuk është problem”.
Osimhen më pas rinovoi me Napolin deri në vitin 2027 dhe shkoi në huazim për një sezon te Galatasaray. Obi Mikel është gati të rikthehet në sulm: “Dua të jem i sigurt, nuk do të ndalem, dua të jem i sigurt që do ta sjell në klub. Jo sepse është miku im, ose është si një vëlla më i vogël apo se ai është Nigerian. Jo, ai është një nga sulmuesit më të mirë në botë për momentin, ai është lojtari më i mirë afrikan. Unë e di se çfarë mund t’i sjellë klubit dhe jam i sigurt se shumë tifozë të Chelsea e dinë se çfarë mund t’i sjellë Victor klubit”.