Posti i kryetarit të Bordit të AMF ende vakand, Kuvendi hap sërish aplikimet

Kuvendi i Shqipërisë rihapi në mesin e muajit nëntor aplikimet për pozicionin e anëtarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, që do të mbajë edhe postin e kryetarit.

Rihapja e vendit vakant erdhi pasi në 17 tetor deputetët rrëzuan në seancë plenare kandidaturën e vetme të propozuar nga Komisioni Ekonomisë dhe Financave, atë të Pajtim Melanit.

Fillimisht, ky pozicion ishte shpallur vakant nga Kuvendi i Shqipërisë më datë 22 korrik, pas përfundimit të mandatit të Olsi Çokut.

Në procesin e hapur nga Kuvendi i Shqipërisë aplikuan zyrtarisht dy kandidatë, Pajtim Melani dhe Ardit Banja. Megjithatë, në muajin shtator, kandidati Ardit Banja u tërhoq nga kandidimi për postin vakant.

Më datë 8 tetor, Komisioni Kuvendor i Ekonomisë shqyrtoi dhe miratoi Pajtim Melanin si kandidat të vetëm për këtë pozicion, duke e propozuar për votim në seancë plenare. Megjithatë, kandidatura e Melanit u rrëzua në votim.

Pajtim Melani kishte mbajtur detyrën e Kryetarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare mes viteve 2015 dhe 2019, ndërsa në vitin 2020 ka kandiduar edhe për postin e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv.

Mbështetur në ligjin për AMF-në, kriteret kryesore të shpallura nga Kuvendi për kandidatët janë: të jenë shtetas shqiptar; të kenë përfunduar ciklin e plotë të studimeve universitare në ekonomi, juridik ose të lidhur me shkencën e aktuarëve; të kenë përvojë profesionale të paktën 7- vjeçare, nga e cila, të paktën, pesë vjet në financë-kontabilitet, administrim i shoqërive tregtare, këshillim ligjor i shoqërive tregtare, hartim legjislacioni, shkencë e aktuarëve, sigurime shoqërore dhe pensione, etj.

Afati i fundit për paraqitjen e kandidaturave është 4 dhjetor 2024.
Sipas ligjit “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare”, Kryetari i Bordit emërohet nga Kuvendi, me propozimin e Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, pas një procedure përzgjedhëse. Mandati i çdo anëtari të Bordit, duke përfshirë kryetarin është 5 vjet dhe mund të rizgjidhen për një mandat të dytë pas përfundimit të mandatit të tyre.

Kryetari i Bordit të AMF-së është anëtar joekzekutiv dhe jo me kohë të plotë.

Sipas ligjit, Kryetari i Bordit ka kompetencë të thërrasë dhe drejtojë mbledhjet e Bordit, të paraqesë rendin e ditës, të urdhërojë ngritjen e komiteteve të kontrollit, objektin e punës, si dhe afatet për shqyrtimin e çështjes, t’i propozojë Bordit ngritjen e komiteteve këshillimore, me qëllim hartimin e politikave për mbarëvajtjen e punës së Autoritetit, si edhe kompetenca të tjera, të akorduara me vendimmarrje të vetë Bordit.

Kryetari dhe dy anëtarët e tjerë të cilët nuk kryejnë funksione ekzekutive në Autoritet mund të funksionojnë edhe si komitet kontrolli, në rastet kur kërkohet shqyrtimi i një çështjeje të veçantë, lidhur me mangësi apo shkelje të vërejtura gjatë veprimtarisë së Autoritetit dhe të strukturave të tij./MONITOR

Play Video
Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top