Vdekja e ajatollahut Ali Khamenei, pas 36 vitesh me grusht të hekurt në krye të regjimit teokratik të Iranit, fund i ndodhur pas sulmit të përbashkët të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, e ka zhytur Lindjen e Mesme në kaos total, me zgjerimin e konfliktit edhe në Katar, Emirate dhe shtete të tjera arabe. Bien bomba dhe raketa kudo, dronët tashmë janë armë e zakonshme lufte kundër kujtdo, bursat botërore janë në rënie të lirë, çmimet e gazit dhe benzinës në qiell. Rashid Mazaheri kishte paraprirë paksa vdekjen e liderit suprem me një postim ku e quante “Satana” dhe e akuzonte për të gjitha veprimet e tij, dhe ato fjalë mund t’i kenë kushtuar shtrenjtë, pasi portieri i kombëtares së Iranit, i tërhequr para disa vitesh, është zhdukur, pasi agjentë të sigurisë kishin hyrë në shtëpinë e tij.
Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!Rashid Mazaheri me fanellën e Iranit në 2018
Mazaheri 36-vjeçar është një futbollist shumë i famshëm në Iran, ka fituar kupa me Zob Ahan dhe Tractor, ka luajtur edhe për Esteghlal dhe Sepahan, dy klube të mëdha aziatike. Edhe në të kaluarën portieri ishte shprehur kundër regjimit islamik: gjatë protestave të viteve 2019-20 kishte kërkuar nga autoritetet të mos ekzekutonin protestuesit me një postim në Instagram. Për këtë ishte thirrur nga Gardat e Revolucionit Islamik dhe më pas ishte arrestuar. Gjithashtu, në vitin 2021, ishte pezulluar nga Federata e Futbollit të Iranit për mbështetjen e protestave popullore për ujin.
Postimi i Mazaheri: “Satana, mbretërimi yt në këtë tokë ka mbaruar”
Mbrëmjen e së martës 24 shkurt – pra disa ditë përpara sulmit që çoi në vdekjen e ajatollahut – Mazaheri shkroi një postim shumë të ashpër në Instagram, duke iu drejtuar drejtpërdrejt Khamenei-t dhe duke e akuzuar për masakrën e protestuesve të kryer në janar:
“Iranianët nuk do ta harrojnë kurrë gjakun e derdhur nga kthetrat e tua të përgjakura mbi trupat e pafajshëm të fëmijëve tanë. Ke kthyer në hi jetët e mijëra të rinjve, por zjarri i zemërimit të tyre digjet ende në zemrat e popullit. Historia do të të gjykojë si kriminel dhe vrasës. Dhe tani, Satana, mbretërimi yt në këtë tokë ka mbaruar. Nuk ke më pushtet, tirania jote ka arritur fundin. Muri i frikës është rrëzuar dhe populli iranian nuk do ta përkulë më kokën para teje. Rashid nuk dorëzohet, nuk ka frikë dhe nuk do të heshtë. Kjo është zëri i një iraniani të lirë që thotë: mjaft! Koha jote ka mbaruar dhe fitorja i përket popullit”.

Hyrja e agjentëve në shtëpinë e portierit: që atëherë është zhdukur
Nga postimi kaloi shumë pak kohë dhe agjentët e sigurisë së regjimit hynë në banesën e Mazaheri-t në orët e para të së mërkurës 25. Gjatë kontrollit, sekuestruan pajisjet e tij elektronike, përfshirë celularin dhe kompjuterin portativ. Agjentët e informuan gjithashtu se do të arrestohej së shpejti në bazë të një urdhri arresti. Ndërsa postimi i portierit zhdukej, bashkëshortja e tij publikonte një mesazh në profilin e saj në Instagram, duke shkruar se jeta e Rashid ishte në rrezik, por “nderi” i tij jo.

Mesazhi i bashkëshortes
Në mesazh, Maryam Abdollahi konfirmoi të gjitha akuzat e bashkëshortit: “Si bashkëshorte e Rashid Mazaheri, deklaroj se ai ka rezistuar për vite me radhë ndaj presioneve të pafundme, nga arrestimet dhe çështjet e sajuara te kërcënimet dhe ngacmimet. Sot e them qartë dhe pa frikë: përgjegjësia për jetën e bashkëshortit tim, i cili ka qëndruar me guxim në atdhe pavarësisht të gjitha rreziqeve, bie drejtpërdrejt mbi qeverinë”.
Që atëherë kanë kaluar disa ditë dhe nga portieri Mazaheri nuk ka asnjë gjurmë. Natyrisht, kaosi në të cilin ndodhet Irani, ende nën sulme të rënda dhe me Teheranin pa energji elektrike, nuk ndihmon për të pasur lajme mbi raste të personave të zhdukur individualë.