Polonia po përgatit një manual se si duhet të reagojnë qytetarët në rast lufte ose fatkeqësie natyrore. Sipas një zyrtari të Ministrisë së Brendshme polake broshura është prej 40 faqesh dhe quhet “Udhëzues për Sigurinë”. Ky udhëzues synon të rrisë qëndrueshmërinë kombëtare në mes të pasigurisë së shtuar rajonale, përfshirë konfliktin në Ukrainën fqinje.
Ajo do të përfshijë këshilla për sigurimin e ujit të pastër, përballimin e sulmeve ajrore ose ndërprerjeve të energjisë dhe gjetjen e strehimoreve, si pjesë e fushatës së parë të ndërgjegjësimit publik të këtij lloji në Poloni në dekada. Kryeministri polak, Donald Tusk ka paralajmëruar vazhdimisht se kërcënimi i një lufte globale është serioze dhe reale.
Fletëpalosja paralajmëron se gjatë një krize, rezervat e ushqimit, ilaçeve dhe benzinës mund të mbarojnë, sipas qeverisë. Fletëpalosja, e cila do të publikohet në internet në shtator në polonisht, më vonë do të përkthehet në anglisht me plane për të prodhuar një version në Braille për fëmijë.
Ministria planifikon t’u shpërndajë kopje të shtypura të gjitha 14 milionë familjeve në Poloni. Polonia, e cila kufizohet me Ukrainën, Rusinë dhe Bjellorusinë, ka qenë një zë kryesor në thirrjet që anëtarët e NATO-s të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen dhe vetë ka caktuar 4.7 përqind të produktit të saj të brendshëm bruto për forcimin e forcave të saj të armatosura deri në vitin 2025.