Napoli fiton ndeshjen e pestë radhazi dhe ngjitet në vendin e dytë. Në “Maradona”, skuadra e teknikut Conte mposhti Milanin dhe e parakaloi në renditje. Fitorja 1-0 i rikthen kampionët e Italisë në gjurmët e Inter, që mbetet i sigurt në krye me shtatë pikë avantazh. Lojtari i ndeshjes ishte Politano, autor i një goli të bukur në minutën e 79’.
Pjesa e parë pa emocione
Hojlund mungonte për shkak të një virusi intestinal, po ashtu edhe Lukaku. Sulmuesi i qendrës ishte Giovane. Edhe Allegri ndryshoi në repartin ofensiv, duke i besuar Nkunku e Fullkrug. Ndeshja ishte shumë taktike. Sidomos në pjesën e parë pati shumë pak raste dhe emocione. Në tribunë buzëqeshnin Paolo Sorrentino dhe Toni Servillo, të cilët me siguri do të kenë parë ndeshje më të bukura. Milan, pas rreth dhjetë minutash, pati një gjysmë rasti në rrëmujë brenda zones. Përgjigja e Napolit erdhi me Spinazzola, autor i një goditjeje interesante me harkim. Më pas ishte radha e Nkunku që mori një top nga Fofana dhe goditi drejt portës, por topi shkoi lart. Kaq. Dhe pjesa e parë u mbyll 0-0.
Politano hyn dhe shënon
Në fillimin e pjesës së dytë ishte Napoli që pati kontrollin territorial të lojës. De Bruyne ishte fantastik në nisjen për Giovane, i cili pati lëvizjen e duhur; braziliani goditi drejt portës, por Maignan ishte i vëmendshëm dhe e devijoi topin në goditje këndi. Allegri ndryshoi Fullkrug dhe Saelemaekers, duke futur Gimenez dhe Athekame. Conte iu përgjigj me Alisson Santos në vend të Giovane, i cili kishte shfaqur një problem fizik. Më pas hynë Pulisic në vend të Nkunku dhe Politano në vend të Spinazzola.
Dhe pikërisht Politano zhbllokoi rezultatin në minutën e 79’. Anësori përmbylli një aksion të mrekullueshëm të nisur nga Alisson dhe të vazhduar nga Olivera; goditja e Politano ishte fantastike, një volej që solli avantazhin 1-0. Leao dhe Loftus-Cheek ishin lëvizjet e fundit të teknikut Allegri, ndërsa Conte hodhi në fushë Elmas dhe Beukeman. Milan insistoi deri në fund dhe, me një rreshtim më ofensiv, arriti të ishte më kërcënues, por pa ndryshuar dot rezultatin.