Pas 21 pikave për Rripin e Gazës, Shtetet e Bashkuara janë rikthyer sërish, por këtë herë me 28 pika për përfundimin e luftës në Ukrainë. Dhënia e territoreve Rusisë dhe madje legjitimimi i tyre në sytë e bashkësisë ndërkombëtare, çarmatimi i pjesshëm dhe lëvizje të tjera nga Kievi që nuk kanë ekuivalente nga Moska, janë pikat kryesore të planit të SHBA.
Agjencia e lajmeve Axios citon një zyrtar amerikan me njohuri të drejtpërdrejta për çështjen, sipas të cilit, plani i jep Rusisë pjesë të Ukrainës lindore që aktualisht Kievi nuk i kontrollon. Kompromisi do të jenë garancitë e sigurisë së SHBA-së për Ukrainën dhe Evropën kundër një agresioni të ardhshëm rus.
Ukraina dhe mbështetësit e saj janë pothuajse të sigurt se plani është një lëshim të madh ndaj Rusisë. Por Shtëpia e Bardhë, sipas zyrtarit amerikan, beson se Ukraina ka të ngjarë të humbasë më shumë terrene nëse lufta vazhdon dhe “prandaj është në interesin e saj të arrijë një marrëveshje tani”.
Lëshimi i territoreve
Përtej kësaj, plani i Trump parashikon që Rusia të fitojë kontroll të plotë de facto mbi Luhanskun dhe Donetskun (të njohura së bashku si Donbas), pavarësisht faktit se Ukraina ende kontrollon rreth 14.5% të territorit atje.
Pavarësisht se janë nën kontrollin rus, zona e Donbasit nga të cilat Ukraina do të tërhiqet do të konsiderohen një zonë e demilitarizuar dhe Rusia nuk do të jetë në gjendje të stacionojë trupa atje.
Në dy rajone të tjera të shkatërruara nga lufta, Kherson dhe Zaporizhia, linjat e kontrollit do të mbeten kryesisht të ngrira siç janë sot. Rusia do të kthejë një pjesë të territorit, në varësi të negociatave.
Për më tepër, SHBA-të dhe vendet e tjera do ta njohin Krimenë dhe Donbasin si territor rus, por Ukraina nuk do të jetë e detyruar ta bëjë këtë.
Një zyrtar ukrainas pohoi se plani përfshinte kufizime në madhësinë e ushtrisë ukrainase dhe armëve me rreze të gjatë veprimi në këmbim të garancive të sigurisë nga SHBA-ja.
Megjithatë, është e paqartë se çfarë do të përfshinin garancitë e sigurisë nga SHBA-ja, përtej një premtimi për mbrojtje kundër agresionit të mëtejshëm rus.
Bisedime në sfond
Burime me njohuri të drejtpërdrejta thonë se Katari dhe Turqia janë të përfshira në hartimin e planit të ri të Trump dhe në mbështetjen e përpjekjeve të ndërmjetësimit të SHBA-së. Të dy vendet ndihmuan në përfundimin e luftës në Gaza dhe për këtë arsye mund të ndihmojnë edhe në Ukrainë, thonë amerikanët.
Ndërkohë, po zhvillohen kontakte të tjera me interes. Gjatë fundjavës, i dërguari i Trump, Steve Witkoff, u takua me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Zelensky, Rustem Umerov.
Ky i fundit thuhet se ka autorizimin e Zelensky dhe se ka ndihmuar në bashkimin e pikëpamjeve mbi disa nga 28 pikat, thonë burime me njohuri të drejtpërdrejta të çështjes. Megjithatë, për momentin, Zelensky dhe Umerov kanë pasur vetëm një informacion gojor rreth planit.