Vedat Muriqi po jeton një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tij, duke u shndërruar në figurën qendrore të Mallorca-s dhe një nga protagonistët e këtij sezoni në La Liga. Sulmuesi kosovar ka hyrë përfundimisht në historinë e klubit spanjoll, pasi me paraqitjet e fundit ka arritur të bëhet golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për ekipin në kampionat, duke lënë pas një emër legjendar si Samuel Eto’o. Ky rekord, që për vite me radhë dukej i paarritshëm, tashmë mban firmën e Muriqit, i cili po konfirmon një vazhdimësi dhe ndikim të jashtëzakonshëm në lojën e skuadrës.
MURIQI ES EL MÁXIMO GOLEADOR DEL RCD MALLORCA EN @LaLiga 🏴☠️ pic.twitter.com/RcJnUx0zG4
— RCD Mallorca (@RCD_Mallorca) April 12, 2026
Mbappé në shënjestër
Forma e tij aktuale është mbresëlënëse dhe e mbështetur nga shifra konkrete. Dy golat e shënuar ndaj Rayo Vallecano jo vetëm që i siguruan fitoren Mallorca-s, por e çuan totalin sezonal të Muriqit në 21 gola në La Liga, duke e futur fuqishëm në garën për “Këpucën e Artë”. Ai ndodhet vetëm dy gola pas Kylian Mbappé, duke përfituar edhe nga fakti që sulmuesi i Real Madrid ka pasur një rënie të lehtë në javët e fundit, pa arritur të gjejë rrugën e rrjetës që prej muajit shkurt.
— victorykingsz (@victorykingsz) April 12, 2026
Mbijetesa e Mallorca-s e Këpuca e Artë
Muriqi, në planin kolektiv, me kontributin e tij ka qenë vendimtar për mbijetesën e Mallorca-s. Skuadra ka marrë tre fitore në katër ndeshjet e fundit, duke u larguar disi nga zona e rrezikut dhe duke u ngjitur në vendin e 15-të. Fitorja bindëse 3-0 ndaj Rayo Vallecano ishte një tjetër dëshmi e momentit pozitiv, me Muriqin protagonist absolut falë dopietës së tij, ndërsa goli tjetër u realizua nga Jan Virgili.
— victorykingsz (@victorykingsz) April 12, 2026
Nëse kjo formë do të vazhdojë edhe në javët e mbetura të kampionatit, Muriqi jo vetëm që mund të konsolidojë statusin e tij si një nga sulmuesit më të mirë të La Liga, por edhe të synojë realisht kreun e renditjes së golashënuesve. Me disa ndeshje ende për t’u luajtur, gara mbetet e hapur dhe sulmuesi kosovar ka treguar se ka kapacitetin për të sfiduar edhe emrat më të mëdhenj të futbollit europian.